Turqia paralajmëron Bidenin kundër njohjes së gjenocidit armen

  • E.K /
  • 21 April 2021 - 09:43
 Turqia paralajmëron Bidenin kundër njohjes së gjenocidit armen

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, tha të martën se çfarëdo hapi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta njohur si gjenocid vrasjen masive të armenëve nga Perandoria Osmane më 1915 do t’i dëmtonte edhe më shumë lidhjet edhe ashtu të tendosura mes dy vendeve.

Turqia e pranon se shumë armenë që jetonin në territoret e Perandorisë Osmane janë vrarë në përleshje me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por e konteston shifrën e të vrarëve dhe mohon se vrasjet kanë qenë të orkestruara në mënyrë të vazhdueshme dhe se përbëjnë gjenocid.

Përkujtimi i këtyre vrasjeve shënohet në vende të ndryshme të botës për çdo 24 prill, shkruan Reuters.

Për dekada, masat për njohjen e gjenocidit armen kanë ngecur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa presidentët amerikanë kanë ngurruar që t’i quajnë vrasjet gjenocid, të penguar nga shqetësimet rreth raporteve me Turqinë dhe lobimit intensiv të Ankarasë.

I pyetur në një intervistë me një medium turk për atë nëse Joe Biden do ta njohë gjenocidin armen pas raportimeve se ai do të jetë presidenti i parë i ShBA-së që do të bëjë një gjë të tillë, kryediplomati turk tha: “Shtetet e Bashkuara duhet ta respektojnë ligjin ndërkombëtar.”

“Deklaratat që nuk kanë obligueshmëri ligjore nuk do të sjellin përfitim, por do t’i lëndojnë lidhjet. Nëse Shtetet e Bashkuara duan që t’i përkeqësojnë lidhjet, vendimi është i tyre”, tha Cavusoglu.

Në vitin 2019, Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë jo të obligueshme, me të cilën vrasjen e armenëve nga Perandoria Osmane u njohën si gjenocid. Ky veprim e kishte zemëruar Turqinë.

(Kosova Sot Online)