Një grua akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj

  • E.K /
  • 21 April 2021 - 12:06
Një grua akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj

Një grua nga jugu i Kalifornisë u ngarkua me akuzën për tri vrasje pas vdekjes së tre fëmijëve të saj të vegjël. Aktakuza kundër saj u ngrit disa ditë pasi pranoi se i ka vrarë fëmijët, gjoja për t’i mbrojtur nga babai i tyre.

Liliana Carrillo nga Reseda, qytezë në rajonin e Los Angelesit, akuzohet për vrasjen e vajzës 3 vjeçe, Joanna, djalit 2 vjeç, Terry, dhe vajzës gjashtëmuajshe, Sierra, njoftoi zyra e prokurorit në Los Angeles. Ajo akuzohet se për vrasjen e tre fëmijëve ka përdorur një thikë.

E akuzuara tha në një intervistë se i ka mbytur në ujë fëmijët më 10 prill, sepse ata ishin duke u abuzuar nga babai i tyre, shkruan Fox News.

“Nuk desha që ata të abuzoheshin edhe më tutje. U premtova kur u lindën se do t’i mbroja dhe pashë se çfarë ishte duke ndodhur, e dija se do të vazhdoj dhe e dija se çfarë do të vazhdonte të ndodhte”, deklaroi ajo.

Babai i fëmijëve të ndjerë, Erik Denton, më herët gjatë këtij viti u mundua që ta merrte kujdestarinë e fëmijëve dhe i kritikoi autoritetet dhe agjencitë e mirëqenies për injorimin e paralajmërimeve të tij se Carillo nuk kishte shëndet të qëndrueshëm mendor dhe se fëmijët nuk ishin të sigurt me të.

“Dymbëdhjetë vjet të trajnimit mjekësor nuk nënkuptojnë asgjë për këta policë dhe punëtorë socialë. Ata i injoruan paralajmërimet e mia për rrezikun që Liliana paraqiste për fëmijët. U thashë se kam frikë për sigurinë e fëmijëve duke u bazuar në sjelljen dhe gjendjen e saj mendore”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)