Albin Kurti rikthehet në Kosovë: Votimi është detyrë qytetare

  • E.K /
  • 25 April 2021 - 14:45
Albin Kurti rikthehet në Kosovë: Votimi është detyrë qytetare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë pasi ka votuar në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Kurti ka njoftuar për kthimin e tij pasi është kritikuar nga opozita se më shumë po interesohet për zyrtarët e partisë së tij në Shqipëri sesa për qytetarët e tij në kohë të pandemisë.

Krahas disa fotografive të publikuara në profilin e tij në Facebook, kryeministri Kurti ka theksuar se votimi është detyrë qytetarë për ata që e duan demokracinë.

“U ktheva në Kosovë, por paradite isha në Shqipëri për të votuar. Demokracia është sistemi që shqiptarët gjithnjë kanë dashur, dhe votimi është detyrë qytetare për ata që e duan demokracinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, pas votimit atje, Kurti ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që të dalin në votime.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe bërë zgjedhjen më të mirë. Dita është e bukur, e dielë, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë, e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti pas votimit.

Por, veprimi i tij është kritikuar nga Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ai ka shkruar se si Shqipëria i ka vaksinuar qindra mijëra qytetarë, ndërkohë që Kosova vazhdon të jetë ndër vendet me më së paku të vaksinuar në botë.

“Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu. Ndërkohë Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të një tjetër kontigjenti ndihmash me vaksina”, ka shkruar Hoxhaj.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri garon me tre kandidatë për deputetë në këto zgjedhje.

https://www.facebook.com/albini2017/posts/1118384728661410

(Kosova Sot Online)