Policët tallen me arrestimin e 77-vjeçares me demencë kur i kërcet krahu

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 10:19
 Policët tallen me arrestimin e 77-vjeçares me demencë kur i kërcet krahu

Disa oficerë policie në Shtetet e Bashkuara janë incizuar duke u tallur me një grua 77-vjeçare me demencë përderisa e shikonin videon e arrestimit të saj me forcë. Pamjet i publikoi avokatja e gruas së arrestuar.

Karen Garner u ndalua nga policia më 26 qershor të vitit të kaluar, pasi kishte dalë nga një dyqan në Kolorado pa i paguar gjësendet me vlerë të 13 dollarëve. Avokati i saj tha se policët gjatë arrestimit ia thyen bërrylin dhe ia nxorën nga vendi krahun, shkruan BBC.

Në pamjet e publikuara të hënën nga stacioni i policisë ditën e arrestimit, policët shihen duke e prekur me krah njëri-tjetrin përderisa e shikojnë videon e incidentit. Përderisa e shikojnë videon, njëri nga policët dëgjohet duke thënë: “Gati për kërcitjen? A e dëgjuat kërcitjen? E dua këtë.”

Avokatja e familjes së gruas së arrestuar ka paraqitur padi kundër policisë, duke pretenduar se oficerët e kanë shkelur Aktin e Amerikanëve me Aftësi të Kufizuara dhe se e kanë sulmuar dhunshëm zonjën Garner.

Avokatja Sarah Schielke tha se klientja e saj është mbajtur gjashtë orë pa ndihmë mjekësore, ndonëse ka qenë e hutuar dhe duke qarë nga dhimbjet pas arrestimit që, sipas saj, mund të cilësohet si torturë.

(Kosova Sot Online)