Turqia vendos për izolim të plotë për dy javë e gjysmë, ja kur fillon mbyllja

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 12:05
 Turqia vendos për izolim të plotë për dy javë e gjysmë, ja kur fillon mbyllja

Nga turqit do të kërkohet që kryesisht të qëndrojnë në shtëpi sipas masave të reja që janë cilësuar si “izolim i plotë” e që do të hyjnë në fuqi nga e enjtja dhe do të zgjasin deri më 17 maj. Këto masa i shpalli të hënën vetë presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan.

Turqia në 24 orët e fundit shënoi mbi 37.000 raste të reja me Covid-19 dhe 353 të vdekur. Këto shifra janë më të ulëta se ato që u shënuan në mesin e prillit, por ende e paraqesin numrin e katërt më të lartë ditor të rasteve në botë dhe shkallën më të lartë të infeksioneve për numër të banorëve në mesin e shteteve kryesore.

Duke njoftuar për masat e reja pas një takimi me kabinetin qeveritar, Erdogani tha se për udhëtimet mes qyteteve do të kërkohet miratim zyrtar, të gjitha shkollat do të mbyllen dhe do të fillohet me mësimin përmes internetit, ndërsa për mjetet e transportit publik do të ketë kufizime të rrepta.

Turqit gjithashtu do të duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe banesa, përpos blerjeve esenciale dhe trajtimit urgjent mjekësor. Përjashtim nga kjo rregull do të ketë për disa grupe, përfshirë punëtorët e shërbimit emergjent dhe punëtorët në sektorët e ushqimit dhe prodhimit, shkruan Reuters.

“Në kohën kur Evropa po hyn në një fazë të rihapjes, ne kemi nevojë që shpejt t’i ulim shifrat në nën 5.000 që të mos mbesim prapa, përndryshe në mënyrë të pashmangshme do të përballemi me kosto të rënda në secilën fushë, nga turizmi deri te tregtia e arsimi”, tha presidenti turk.

Dy javë më parë, Turqia vendosi orë policore nga ora 19 deri në 5 të mëngjesit gjatë ditëve të punës dhe orë policore të plotë gjatë fundjavës, pasi numri i rasteve shkoi në nivel rekord, por këto masa dolën të mos jenë të mjaftueshme për ta vendosur pandeminë nën kontroll.

(Kosova Sot Online)