Qeni Husky e shpëton të porsalindurin e braktisur në një park në Britani

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 13:46
 Qeni Husky e shpëton të porsalindurin e braktisur në një park në Britani

Shumë njerëz e kanë lavdëruar një qen të racës Husky, të quajtur Hel, i cili gjeti një foshnjë të porsalindur të gjinisë mashkullore, që ishte braktisur në një park në Birmingham të Britanisë së Madhe.

Inxhinieri 64-vjeçar, Terry Walsh, ishte i mahnitur, kur qeni i tij gjeti një foshnjë që ishte lindur vetëm para disa orësh e që ishte mbështjellë me një batanije në parkun “The Mound” më 22 prill.

Ai tha se beson që Hel-i është “dërguar nga parajsa” për ta shpëtuar djaloshin e porsalindur, të cilit i ishin veshur rroba 1-funteshe, kur u gjet në park, shkruan Daily Mail.

Image

Rrobat që i ishin veshur foshnjës së braktisur në park

Pa reagimin e qenit, Walsh thjesht ka mundur ta vazhdojë ecjen në park, sepse kishte menduar se ka parë një batanije të hedhur.

Për fat të mirë, ai e dëgjoi foshnjën duke qarë pasi qeni vrapoi drejt tij, u shtri afër dhe filloi ta prekte me hundë.

Fëmija u dërgua shpejt në spital dhe policia po mundohet që ta gjejë nënën e tij. Raportohet se djali është në gjendje të mirë.

(Kosova Sot Online)