Deputetja e PDK-së ia numëron përgjegjësitë qeverisë, kërkon pagë shtesë prej 300 euro

  • A.P /
  • 27 April 2021 - 15:56
Deputetja e PDK-së ia numëron përgjegjësitë qeverisë, kërkon pagë shtesë prej 300 euro

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu ka thënë se qeveria Kurti ka dy përgjegjësi të mëdha, e që sipas saj ka të bëj me mënyrën se si është menaxhuar pandemia Covid-19 dhe mosnxjerrja e mësimeve se çfarë duhet të bëj në këtë aspekt.

“Mbyllja prej dy javësh ishte pa plan dhe askush nuk mund ta dijë efektin e këtyre masave. Ato vetëm thelluan dëmin ekonomik në mes të bizneseve dhe të punëtorëve. Ky vit ishte i rëndë për shëndetësinë dhe personelin shëndetësor dhe qytetarëve. Albin Kurti dhe qeveria e tij i kanë dy përgjegjësi të mëdha: mënyrën se si janë duke e menaxhuar situatën dhe mosnxjerrjen e mësimeve për atë që duhet të bëj”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera deputetja e PDK-së, tha se qeveria Kurti i ka lënë të vetëm si punëtorët shëndetësorë ashtu edhe qytetarët.

“Kjo qeveri i ka lënë të vetëm si personelin shëndetësorë ashtu edhe pacientët në këtë betejë të vështirë”, ka thënë Zejnullahu.

Më tutje ajo foli edhe për farmacistët dhe për rolin e tyre gjatë pandemisë.

Zejnullahu deklaroi se ata as nuk janë vaksinuar e as nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme nga qeveria.

“Krahas sigurimit të vaksinave qeveria duhet edhe të stimulojë me mjete profesionistët shëndetësorë me pagë shtesë prej 300 euro”, ka thënë ajo. 

(Kosova Sot Online)