Teuta Sahatqija për “non paper”: Përdoren si testim i terrenit, institucionet e Kosovës t’i kundërshtojnë fuqishëm këto letra

  • E.K /
  • 29 April 2021 - 13:55
 Teuta Sahatqija për “non paper”: Përdoren si testim i terrenit, institucionet e Kosovës t’i kundërshtojnë fuqishëm këto letra

Anëtarja e Kryesisë së LDK’së, Teuta Sahatqija, ka komentuar letrën “non paper” në të cilën thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen për formimin e të ashtuquajturit Distrikt Autonom i Kosovës Veriore.

Sahatqija në një konferencë për media deklaroi se këto letra përdoren në diplomaci si testim i terrenit.

Ajo tha se si të tilla, këto letra duhet të kundërshtohen sepse janë dokumente që e rrezikojnë shtetësinë e Kosovës.

“Këto letra apo dokumente nuk kanë autorësi, por në diplomaci non-papers përdoren si testim i terrenit dhe si përgatitje. Këto non-papers të cilat po qarkullojnë kohëve të fundit, janë dokumente që duhet fuqishëm të kundërshtohen, janë dokumente që në thelb e rrezikojnë kushtetutshmërinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe si të tilla nuk duhet të heshtet por të kundërshtohen”, ka deklaruar Sahatqija.

“Njëri prej tyre flet për rikonfigurimin e gjithë Ballkanit, ndërsa tjetri e kthen Kosovën në kohën para pavarësisë, në kohën e parimeve të grupit të kontaktit. Grupi i kontaktit ka qenë një grup që ka diskutuar për pavarësinë e Kosovës dhe çfarëdo kthimi në kohën e pavarësisë së Kosovës apo çfarëdo bazimi, e kthen Kosovën në dialog për status, ashtu siç edhe po pretendon Serbia që duhet të jetë. Ne fuqishëm duhet ta kundërshtojmë, Kosova është shtet i pavarur, statusi i Kosovës dhe shtetësisë nuk diskutohen, janë jashtë çdo parimi, nuk lejohet me Kushtetutën tonë dhe duhet që në dialog Kosova të jetë shtet i njohur prej 117 shteteve dhe të jetë pjesë aktive e dialogut”, ka deklaruar Sahatqija.

Ajo tha se institucionet e Kosovës duhet t’i kundërshtojnë fuqishëm këto letra.

“Këto letra duhet të kundërshtohen nga çdo institucion i Kosovës dhe të mos lejohet shndërrimi i tezave të gjetura aty, të bëhen pjesë e çfarëdo diskutimi në tavolinën negociuese. Presim nga institucionet që sa më fuqishëm të dalin kundër “non paper” e jo të zgjedhin heshtjen si përgjigje”, ka thënë Sahatqija.

(Kosova Sot Online)