" Më shumë vaksina ose Covidi s’largohet deri në këtë vit "

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 09:21

Pandemia e koronavirusit do të vazhdojë që të jetë e pranishme në botë deri në vitin 2024, nëse Grupi G7 nuk përqendrohet në rritjen e prodhimit të vaksinave dhe në lehtësimin e këtij procesi në Afrikë, tha ministri francez i Punëve të Jashtme.

Kryediplomati francez, Jean-Yves Le Drian, shtoi se duhet të ketë një debat për lehtësimin e kufizimeve ndaj patentave të kompanive farmaceutike – masë që është përkrahur edhe nga Shtëpia e Bardhë – por se prioriteti numër një është rritja e prodhimit.

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, atëherë nuk do të ketë imunitet global deri në vitin 2024. A do të presim deri më 2024 me maska, me teste, me kufizime dhe me frikën tonë? Unë nuk mendoj se kjo është zgjidhje për ne apo për botën”, deklaroi shefi i politikës së jashtme franceze.

Le Drian foli për gazetën “The Guardian” pasi mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të G7-ës në Londër. Këtë ngjarje ai e cilësoi si kthim të Shteteve të Bashkuara në multilateralizëm pas disa vjetësh pezullimi shkaku i politikave të ish-presidentit Donald Trump.

Ai zbuloi se ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, më shumë herë që nga emërimi i tij në janar, sesa që ka biseduar gjatë tre vjetëve kur në atë post ishte Mike Pompeo i Trumpit.

Ministri francez pranoi se duhet të bëhet më shumë që të arrihet garancia që vaksinat të arrijnë te popujt më të varfër të botës dhe se përgjegjësi për arritjen e këtij qëllimi e kanë edhe shtetet e pasura të Grupit G7.

(Kosova Sot Online)