Studimi izraelit: Dy doza të vaksinës së Pfizer-it ofrojnë 95 për qind mbrojtje

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 10:50
 Studimi izraelit: Dy doza të vaksinës së Pfizer-it ofrojnë 95 për qind mbrojtje

Dy doza të vaksinës së Pfizer-it kundër koronavirusit janë dëshmuar 95 për qind efektive kundër infektimit, hospitalizimit dhe vdekjes nga Covid-19 në Izrael, shteti që e ka përqindjen më të lartë të popullsisë së vaksinuar në botë, ka treguar një studim.

Sipas këtij studimi, vetëm një dozë e vaksinës së Pfizer-it është pjesërisht efektive, duke ofruar 58 për qind mbrojtje kundër infektimit, 76 për qind kundër hospitalizimit dhe 77 për qind kundër vdekjes.

Autorët e hulumtimit vëzhgues në revistën mjekësore “Lancet” thonë se këto rezultate e tregojnë rëndësinë e marrjes së dozës së dytë të vaksinës, shkruan The Guardian.

Studiuesit thonë se hulumtimi i tyre e tregon fuqinë e vaksinave për t’u dhënë fund pasojave të koronavirusit. Autori kryesor i studimit, Dr.Sharon Alroy-Preis, tha se hulumtimi ofron shpresë të vërtetë se vaksinimi kundër sëmundjes së re do ta mundësojë kontrollimin e pandemisë.

Izraeli e ka përdorur vetëm vaksinën e Pfizer-it, me marrëveshje me kompaninë se të dhënat nga programi i vaksinimit do të publikohen për ta dëshmuar efikasitetin e vërtetë të saj në terren.

(Kosova Sot Online)