Hajdar Beqa tregon se si erdhi deri te përplasja me VV’në në Kuvend

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 14:38
 Hajdar Beqa tregon se si erdhi deri te përplasja me VV’në në Kuvend

Një përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Përplasja erdhi pas deklaratave të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës. Por, kush e filloi këtë incident dhe si rrjedhi ngjarja tutje? Flet një prej të përfshirëve.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka sqaruar se si erdhi deri te përplasja e sotme gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku ishte planifikuar që të diskutohej për arsim.

Në një prononcim , Beqa ka thënë se ata janë fyer nga ministrat e Qeverisë Kurti dhe deputetët e pozitës, derisa po dilnin nga seanca.

Më pas thotë se ka qenë deputeti i VV’së, Besim Myzaqi, ai që ka shkuar dhe e ka kapur për dore një deputet të PDK’së, duke i thënë që të dalë nga salla dhe e ka ofenduar.

Ai thotë se nuk e ka njohur Muzaqin dhe se ka menduar se është ndonjë roje e ministrave.

“Gjatë daljes patëm fyerje nga ministrat dhe deputetët e mazhorancës, dhe pati gati edhe tentim sulm. Unë isha duke dal rrugës, deputeti Besim Muzaqi e kishte kap në dorë një deputet të PDK’së dhe i thoshte dilni jashtë dhe me fyerje dhe unë mendova që është njëri nga rojet e ministrave dhe thash po e keqpërdorë pozitën, meqenëse nuk e kam njohur personin në fjalë dhe ai tentoi të më sulmoj fizikisht dhe unë nuk e lejoj një gjë të tillë, meqenëse nuk është në natyrën timë që të sulmoj dikë fizikisht”, ka thënë Beqa.

Beqa ka thënë se ministrat dhe deputetët kanë shkuar për t’i sulmuar ata tek dalja.

“Ne ishim duke dalur dhe ata u çuan nga banka për të na sulmuar te dera. Ata erdhën me na sulmu te dera. Në atë moment, unë kam pas tentim sulm nga z.Muzaqi dhe s’di çka kemi thanë, por s’kam lejuar që të më sulmojnë”, ka deklaruar Beqa.

(Kosova Sot Online)