​Albulena Haxhiu: Do të ndërmarrin masa për adresimin e dhunës në familje

  • E.K /
  • 07 maj 2021 - 11:32
 ​Albulena Haxhiu: Do të ndërmarrin masa për adresimin e dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka takuar mbrojtësit e viktimave të dhunës në familje, me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit, me ç’rast tha se është shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje, për që do të ndërmarrin masa për adresimin e këtyre rasteve.

Pas takimit me mbrojtësit e viktimave, Haxhiu tha se Qeveria Kurti e ka prioritet adresimin e dhunës në familje.

“Do të angazhohemi për ndërmarrjen e masave për adresimin e dhunës në familje, në mënyrë që të ndëshkohen e jo të neglizhohen siç ka ndodhur në të kaluarën. Për neve mbetet shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje. Ne sot planifikojmë të aprovojmë programin qeverisës dhe në këtë drejtim, shumë prej çështjeve që adresohen edhe sa i përket dhunës në familje adresohen në prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, që rastet e dhunës në familje të jenë sa më të vogla”, tha ajo.

Menaxheri i Zyrës për ndihmë dhe mbrojtje viktimave, Basri Kastrati, tha se vizita e sotme tregon seriozitetin dhe përkushtimin për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Sfidat që i adresuam bashkërisht, do të jenë prioritet i MD, dhe sigurisht që rastet e dhunës në familje do të trajtohen me shumë seriozitet nga organet e drejtësisë. Prioritet i joni është që zëri i viktimës të dëgjohet gjatë procedurës”, tha ai.

(Kosova Sot Online)