OVL e pakënaqur, djali i Gucatit thotë se Qeveria gabon nëse i publikon shpenzimet e mbrojtjes për qëllime politike

  • E.K /
  • 07 maj 2021 - 14:01
 OVL e pakënaqur, djali i Gucatit thotë se Qeveria gabon nëse i publikon shpenzimet e mbrojtjes për qëllime politike

Një milion e 578 mijë e 857 euro e 35 centë u bë e ditur se janë aprovuar që t’i jepen për mbrojtje shtatë të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë. Lidhur me publikimin e shifrave nga Ministria e Drejtësisë kanë folur edhe familjarët e këtyre të fundit.

Pas një debati të gjerë se a duhet apo jo që shteti të publikojë shpenzimet për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, një gjë e tillë, me vendim të Qeverisë Kurti, tashmë ka ndodhur. Deri më tani nga Ministria e Drejtësisë janë aprovuar 1,114,257.35 Euro, teksa mbrojtja e  përmendur më lart ka tërhequr nga llogaria 464,600 mijë euro.

Djali i Hysni Gucatit, Musliu, ka thënë  se publikimi i shpenzimeve për hir të transparencës është korrekte, por jo nëse pas publikimi fshihet ndonjë motiv politik. 

“Nëse publikimi i atyre shpenzimeve ka qenë që të jenë sa më korrekt dhe sa më transparent para popullit dhe qytetarëve të Kosovës atëherë është çdo gjë në rregull dhe nuk ka problem. Por, nëse përdoret për qëllime të caktuara politike do të ishte diçka e gabuar nga ana e qeverisë nëse i përdorin në këtë formë”, ka thënë ai.

Ndërsa Gjejlone Haradinaj, bashkëshortja e Nasim Haradinajt, ka thënë se të hollat e ndara për të akuzuarit në Hagë do të ishte mirë që të ndaheshin për popullin.

“Unë jam në Suedi duke u trajtuar dhe nuk e di saktë se sa mjete ka ndarë Qeveria e Kosovës për Nasimin. Vetëm e di që kjo Gjykatë është politike dhe shumë e padrejtë. Megjithatë, gjithë ato të holla do të ishte më mirë që të investohen për të bërë mirë për popullin tonë”, ka thënë ajo.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) janë shprehur kundër publikimit të shpenzimeve për të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku, ka deklaruar për Express se publikimi i këtyre shpenzimeve mund të pengojë procesin gjyqësor.

“Qëndrimi jonë ka qenë se këto shpenzime nuk është dashur që të publikohen fare sepse mendojmë se do ta pengonte drejtësinë. Ka përvoja të ndryshme siç është Kroacia e ku shpenzimet publikohen veç e veç pas mbylljes së proceseve gjyqësore. Qëllimi jonë ka qenë që kjo nuk është diçka e fshehur se kush çka ka paguar, por është çështje që pengohet mbrojtja. Unë e di që qeveria e kaluar i ka ndarë 20 milionë euro dhe të tjerat varen nga avokatët se sa shpenzojnë ata gjatë proceseve gjyqësore”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se është e rëndësishme që të ndahet çdo informatë dhe çdo ndihmë që jepet për të akuzuarit në Hagë.

“IKD qysh në fundvit kishte realizuar një analizë ligjore me rekomandime konkrete për sa i përket mostransparencës dhe llogaridhënies në institucionet si Qeveria e Kosovës, Ministria e Drejtësisë lidhur me shpenzimet për të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë. Në këtë drejt çka është e rëndësishme me qëllim që të  rritet transparenca dhe llogaridhënia është që çdo informatë dhe çdo ndihmë që jepet për të akuzuarit duhet të jetë transparente dhe duhet të jetë e përcaktuar mbi kriteret e qarta për ndihmën që ofrohet”, ka thënë ai.

Sipas Miftarajt, MD-ja duhet të sqarojë se për çfarë aspekti janë ndarë këto mjete.

“Nga ana jonë në këtë fazë nuk mund të japim një sqarim, rekomandim apo analizë pasi që flasim vetëm për informata që janë të përgjithshme dhe jo të detajuar sepse nuk e dimë se ndihma që është dhënë deri më tani se çfarë ndihme dhe në çfarë aspekti është dhënë”, ka thënë Miftaraj.

Kosova për gjashtë muaj ka aprovuar dhënien e rreth 1.6 milionë eurove për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Hagë.

Të dhënat për pagesën e mbrojtjes së tyre deri më tani konsideroheshin si konfidenciale, por ndalesa e deritanishme ishte konsideruar si kundërkushtetuese dhe kundërligjore.

Media i ka siguruar këto shpenzime nga Ministria e Drejtësisë, pas kërkesës së ministres Haxhiu për ndryshim të udhëzimit administrative për publikimin e shpenzimeve financiare. Udhëzim të cilin e ka aprovuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Kësaj liste për nga shpenzimet i prin avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Pagesa e ezektuar për të është hiç më pak se 315 mijë euro.

Pas tij, sipas shpenzimeve të deritashmë radhitet mbrojtja e Rexhep Selimit, ish komandantit të UÇK-së që po gjykohet në lëndën “Thaçi dhe të tjerët”.

Avokati i Selimit, David Young është paguar nga shteti me 287 mijë euro.

Ndërsa, një shumë e konsiedrueshme e parave është dhënë edhe për mbrojtjen e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës.

Për mbrojtjen e tij, holandezin Von Bone sipas kësaj tabele nga buxheti shtetëror janë ekzekutuar mbi 271 mijë euro.

Ndërkohë, një shifër e madhe është e ndarë edhe për njërin nga avokatët që po e mbron ish-presidentin Thaçi në Gjykatën Speciale.

Njëri nga tre avokatët e ekipit mbrojtës të ish-shefit të shtetit, Pierre R. Prosper deri më tani është paguar mbi 251 mijë euro.

E shuma që për gjysmë viti është ndarë për avokatin e Jakup Krasniqit është për mbi 242 mijë euro.

Kurse më së paku nga këta sipas këtyre të dhënave është paguar njëri nga tre mbrojtësit e ish-kryeparlamentarit e ish-shefit të SHIK-ut, Ben Emmerson.

Britaniku Ben Emmerson që po e mbron Kadri Veselin, është paguar më shumë se 31 mijë euro.

Avokati i Nasim Haradinajt, Bat Mertens, për periudhën tetor-nëntor është paguar 33 mijë e 648 euro, ndërkaq avokati tjetër i tij, Toby Cadman, për periudhën dhjetor-shkurt është paguar 144 mijë e 742 euro.

Deri më tani janë aprovuar 1,114,257.35 EUR derisa mbrojtja e përmendur më lart ka tërhequr nga llogaria 464,600 mijë euro.

(Kosova Sot Online)