IKSHPK i bënë thirrje qytetarëve që të vaksinohen: Vaksinat e sigurta i kemi në dispozicion

  • G.G /
  • 12 May 2021 - 11:44
IKSHPK i bënë thirrje qytetarëve që të vaksinohen: Vaksinat e sigurta i kemi në dispozicion

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, duke thënë se vaksinat që i ka Kosova në dispozicion janë të sigurta.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, nga IKSHPK kanë thënë se derisa sasia e vaksinave është e pamjaftueshme për vaksinimin e 70% të popullatës, është e rëndësishme që së pari të vaksinohen personat që janë në rrezik më të lartë të sëmuren rëndë ose të vdesin nga COVID-19, si dhe ata që kanë një rrezik të lartë të infektimit me SARS-CoV-2 për shkak të kontaktit me pacientët e infektuar.

“Ekipet e profesionistëve shëndetësor janë duke realizuar me një dinamikë të shtuar procesin e vaksinimit, duke zbatuar standardet më të larta profesionale, andaj të gjithë së bashku të mbështesim punën e tyre në këtë situatë të vështirë të shëndetit publik”, është thënë nga IKSHPK.

Njoftimi i plotë:

Vaksinimi është mënyra më e mirë, më e lirë dhe më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19!

Vaksinat janë një nga ndërhyrjet më të efektshme të shëndetit publik, duke parandaluar 2-3 milionë vdekje në vit. Vaksina ju ndihmon juve dhe familjes tuaj të mbroheni kundër COVID-19.

Vaksinimi juaj mbronë të tjerët në rrethin tuaj duke ndihmuar parandalimin e përhapjes së sëmundjes tek ata që nuk kanë mundësi ta marrin vaksinën.

Derisa sasia e vaksinave është e pamjaftueshme për vaksinimin e 70% të popullatës, është e rëndësishme që së pari të vaksinohen personat që janë në rrezik më të lartë të sëmuren rëndë ose të vdesin nga COVID-19, si dhe ata që kanë një rrezik të lartë të infektimit me SARS-CoV-2 për shkak të kontaktit me pacientët e infektuar.

Shumë vaksina janë aprovuar kundër COVID-19, që janë po kaq të efektshme për mbrojtje individuale kundër COVID-19 dhe si përgjigje ndaj pandemisë.

Vaksinat e sigurta dhe efikase tani i kemi në dispozicion.

Vaksinat e aprovuara nga EMA janë të sigurta. Për t’u aprovuar përdorimi i vaksinave kundër COVID-19, ato duhet t’i përmbushin standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit. Edhepse këto vaksina janë zhvilluar në kohë rekorde, përsëri procesi nuk i ka bërë më pak rigoroz hulumtimin dhe testimin, vlerësimin e rezultateve dhe aprovimin e vaksinës.

Janë aprovuar disa lloje të vaksinave kundër COVID-19, të cilat janë njëlloj të përshtatshme për mbrojtje ndaj COVID-19 dhe për të luftuar pandeminë. Prej tyre, në Kosovë tani në dispozicion janë dy lloje të vaksinave, duke përfshirë:  

• Vaksinat vektoriale virale (Astra Zeneca), të cilat përdorin një virus të padëmshëm që bart proteinat e koronavirusit për ta shkaktuar në mënyrë të sigurt një përgjigje imunologjike. Vaksina jipet në dy doza me 9-12 javë distancë në mes të dy dozave.

• Vaksinat e acidit nukleik (mARN Pfizer BioN/Tech) përdorin ARN gjenetikisht të modifikuar, për të gjeneruar një proteinë që vetë në mënyrë të sigurt shkakton një përgjigje imunologjike. Vaksina jipet në dy doza me 3-4 javë distancë në mes të dy dozave.

Vaksinat kundër COVID-19 veprojnë së bashku me mbrojtjen natyrale të trupit tuaj për të krijuar imunitet kundër virusit.

Deri tani në Kosovë janë vaksinuar 29.704 persona me dozën e parë dhe asnjë nga ta nuk kanë raportuar efekte të rënda pasvaksinale.

Vaksinat kundër COVID-19, janë mundësia jonë më e mirë në mposhtjen e pandemisë dhe kthimin në normalitet.

Ministria e Shëndetësisë në koordinim me IKSHP-në po zbatojnë me përpikëri Planin Shtetëror të Vaksinimit të popullatës kundër COVID-19.

Duke qenë se faza e parë e vaksinimit ka filluar në kohën kur Kosova është përballur me kulmin e infeksioneve me COVID-19, rrjedhimisht infeksioni ka atakuar edhe personelin shëndetësor dhe rrethin e tyre, prandaj kjo kategori janë edhe prioritet në vaksinim.

Ekipet e profesionistëve shëndetësor janë duke realizuar me një dinamikë të shtuar procesin e vaksinimit, duke zbatuar standardet më të larta profesionale, andaj të gjithë së bashku të mbështesim punën e tyre në këtë situatë të vështirë të shëndetit publik.

Komiteti Kombëtar për Vaksinim kundër COVID-19 u ka dhënë prioritet punëtorëve shëndetësor si kategori esenciale për menaxhim të situatës me pandeminë, krahas kategorive të tjera, që poashtu, janë vaksinuar në fazën e pare, si të moshuarit, të vendosurit në qendrat për të moshuar dhe punëtorët social që kujdesen për ta, të sëmurët kronikë në moshat e shtyra, etj., gjithnjë sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19.

Andaj i inkurajojmë qytetarët që të përcjellin njoftimet zyrtare për fazat e ardhshme të vaksinimit dhe kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit.

Bashkë ia dalim! #Vaksinat kundër COVID-19

(Kosova Sot Online)