Këta janë emrat e tetë anëtarëve të rinj të KQZ-së të emëruar nga presidentja Vjosa Osmani

  • E.K /
  • 14 May 2021 - 16:06
 Këta janë emrat e tetë anëtarëve të rinj të KQZ-së të emëruar nga presidentja  Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën ka emëruar tetë anëtarë të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve. Për emërimin e dy anëtarëve të tjerë,  Presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e dy neneve të Kushtetutës.

Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina  ka dhënë emrat e anëtarëve të rinj, ndërkaq për dy të tjerë ai tha se Presidentja po pret sqarime shtesë nga Kushtetuesja.

“Anëtarët e emëruar janë: Sami Kurteshi (LVV), Alim Rama (LVV), Arianit Elshani (PDK), Florian Dushi (LDK), Ibrahim Selmanaj (AAK), Gordana Laban Zuvić (LS), Rifat Krasniç (KDTP), Fazli Stollaj (IRDK)”, tha Kupina.

Sipas Kupinës për dy anëtarët e fundit, Gresa Bytyqi Kelmendi dhe Ilir Gashi, janë kërkuar sqarime shtesë nga Kushtetuesja.

“Sqarime shtesë janë kërkuar për nominimin e tretë për anëtare të KQZ-së nga radhët e GP të VV-së (Gresa Bytyqi Kelmendi) dhe për nominimin e dytë për anëtar të KQZ-së nga radhët e GP të PDK-së (Ilir Gashi)”, konfirmoi Kupina.

Ndryshe, Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka thënë sot se presidentët në Kosovës janë duke e trajtuar Gjykatën Kushtetuese sikur të ishte zyrë ligjore e Presidencës.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kësaj praktike gjykata i ka dhënë fund kur kishte refuzuar kërkesat për sqarime të Presidentit Hashim Thaçi.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së.

Këto emërime janë bërë konform propozimeve nga subjektet politike dhe ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

(Kosova Sot Online)