Festa e Bajramit përfundon me 29 të dënuar me vdekje në këtë vend

  • E.K /
  • 15 May 2021 - 15:30
 Festa e Bajramit përfundon me 29 të dënuar me vdekje në këtë vend

Njëzet e nëntë persona janë dënuar me vdekje në Republikën Demokratike të Kongos për shkak të dhunës së shkaktuar gjatë festës së Bajramit, që shpërtheu në kryeqytetin Kinshasa.

Një polic u vra dhe dhjetëra të tjerë pësuan lëndime gjatë përleshjeve mes grupeve rivale myslimane, shkruan BBC.

Grupet ishin mbledhur për ta shënuar përfundimin e muajit të Ramazanit, por u grindën rreth asaj se kush duhej ta udhëheqite organizimin.

Dënimi me vdekje, ndonëse mund të jepet formalisht nga gjykatat, nuk është duke u zbatuar më në Kongo, prandaj ata që u shpallën fajtorë do ta vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome të enjten për të shpërndarë mijëra persona që ishin mbledhur për ta fituar Fitër Bajramin.

Autoritetet thonë se disa policë të lënduar janë në gjendje kritike, ndërsa përleshjet u nxitën nga mosmarrëveshja për udhëheqjen e organizimit mes komunitetit mysliman.

Dyzet e një persona u arrestuan në vendin e ngjarjes dhe menjëherë dolën në gjyq të premten. Seanca u transmetua drejtpërdrejt në televizion dhe zgjati tërë natën.

Njëzet e nëntë persona u dënuan me vdekje, ndërsa dy të tjerë me nga pesë vite burgim. Reporteri i BBC-së për zhvillime ndërkombëtare, Will Ross, tha se ka shqetësime rreth drejtësisë së këtij gjykimi, duke e marrë parasysh shpejtësinë me të cilin u zhvillua dhe u përmbyll procesi gjyqësor.

(Kosova Sot Online)