Gazeta austriake shkruan për çiftin kosovar që hasi në vështirësi për të hyrë në Austri, edhe pse jetonte atje qe 48 vjet

  • E.K /
  • 18 May 2021 - 08:04
 Gazeta austriake shkruan për çiftin kosovar që hasi në vështirësi për të hyrë në Austri, edhe pse jetonte atje qe 48 vjet

Teksti “Jeta dhe vdekja e një evropianeje të paatdhe”, i botuar në gazetën austriake “der Standard”,  flet për një histori të dhimbshme të një çifti shqiptar.

Rukman (e) dhe Vesel Avdullahi kishin migruar që në vitin 1972 në Austri. Rukman Lokaj (mbiemri i vajzërisë) vdiq në Vjenë më 21 janar 2021. Edhe pse jetonte në Austri prej 48 vitesh, pas kthimit nga Kosova, një muaj para se të vdiste, ajo më vështirësi hyri në Austri, përcjell albinfo.at

Rukman Lokaj është lindur më 15 maj 1941 në Voksh, në Kosovë dhe vdiq më 21 janar 2021 në Vjenë. Gjatë këtyre viteve, jeta e saj ishte plot ngjarje të rënda, sidomos sa i përket situatës politike. Kështu, autori i artikullit, Wilfried Embacher, një avokat austriak, merret gjerësisht me të gjitha fazat politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, nga lindja e zonjës së përmendur, deri më sot. Ai përshkruan diskriminimin të cilit i është nënshtruar, herë më shumë e herë më pak, popullata shqiptare e Kosovës gjatë gjithë këtij shekulli.

Sidoqoftë, Rukmanja ishte kryesisht e kënaqur deri më 18 dhjetor 2020, ndonëse politika e keqe nuk i bënte gjithmonë gjërat e thjeshta për të, shkruan gazeta austriake. Javët e fundit të jetës së saj u shënuan me hidhërime, sepse autoritetet austriake u treguan të pamëshirshme, pasi edhe pas 48 vjetësh jetë në Austri, i bënë me dije se ajo nuk kishte vend në këtë shtet.

Përvojë e dhimbshme

Më 18 dhjetor 2020, Rukman Avdulahi (mbiemri i martesës) dhe burri i saj 80 vjeçar Vesel Avdullahi, pas pesë muajsh qëndrimi në Kosovë, udhëtuan nga Prishtina në Vjenë për t’u kthyer te vajza e tyre. Meqenëse çifti, ndryshe nga fëmijët e tyre, nuk kërkuan kurrë shtetësi austriake, ata ende kishin nevojë për një leje qëndrimi, edhe pse jetojnë në Austri prej afër gjysmë shekulli. Prandaj, ata do të duhej të rinovonin lejen e qëndrimit (Aufenthaltstitel).  Të drejtën e tyre të pakufizuar të qëndrimit në Austri do duhej ta vazhdonin çdo pesë vjet.

Në nëntor 2019, të dy kishin udhëtuar për në Kosovë, ku për shkak të krizës së pandemisë, qëndruan më gjatë sesa kishin planifikuar. Vetëm në korrik të vitit 2020, ata u kthyen për dy javë në Vjenë. Meqenëse pasaportat e tyre nuk ishin vulosur me hyrje dhe dalje, policia kufitare e Austrisë kuptoi se leja e qëndrimit të tyre kishte skaduar, dhe refuzoi hyrjen e tyre në Austri.

Por, hyrja u lejua vetëm pas ndërhyrjeve të shumta nga vajza e tyre. Sidoqoftë, leja e qëndrimit u është tërhequr dhe çifti u udhëzua të largohej nga vendi brenda 14 ditësh. Për të lejuar hyrjen e ligjshme, duhet të lëshoheshin viza hyrëse. Aplikimi u arsyetua me gjendjen shëndetësore të çiftit.

Politika e keqe

Rukman Lokaj si 16 vjeçare u njoh me atëherë 17 vjeçarin Vesel Abdulahi, me të cilin do t`i kalonte 63 vitet e ardhshme të jetës së saj. Për shkak të luftë së asaj kohe, data e lindjes së saj mbeti pa u regjistruar. Për të qenë në gjendje të martohej si e rritur, data e lindjes së saj u shty për tre vjet, dhe kështu fëmija i parë lindi në martesë në 1957.

Çifti më vonë ndryshoi mbiemrin nga Abdulahi në Avdulahi, kështu që Rukman Avdulahi për një kohë të gjatë jetoi me një datë të pasaktë të lindjes dhe një emër të familjes të ndryshuar.

Migrimi i punës së kosovarëve kishte filluar në vitet 1960. Gjermania, Zvicra dhe Austria u bënë cakun i migracionit të punës, në fillim, kryesisht të përbërë nga meshkuj, transmeton albinfo.ch. Në Evropë quheshin si “punëtorë mysafirë” (Gastarbeiter), në Jugosllavi “punëtorë të punësuar përkohësisht jashtë vendit”. Politika e keqe është mashtruese dhe nuk arrin të gjejë emrat e duhur për njerëzit.

Zhvendosja në Austri

Pas marrëveshjes së vitit 1969 me Gjermaninë, Vesel Avdulahi ishte ndër të parët që u largua nga Kosova, në mënyrë që të përmirësonte gjendjen ekonomike të familjes së tij. Pas tre vjetësh në Gjermani, ai vendosi të transferohej në Austri. Edhe  Rukman Avdulahi gjithashtu vendosi për një të ardhme në Austri. Në 1972 të dy erdhën në Burgenland, dy vjet më vonë u transferuan në Vjenë dhe gradualisht sollën gjashtë fëmijët e tyre për të jetuar me ta.

Akti përfundimtar – i padenjë

Incidenti në aeroport me rastin e hyrjes së tyre më 18 dhjetor 2020 kishte hidhëruar tej mase çiftin Avdulahi. Një muaj më vonë, Rukman Avdulahi vdiq në Vjenë. Dëshira e saj ishte, të varrosej në Kosovë. Për bashkëshortin e saj tashmë të ve, burokracia austriake kishte planifikuar një veprim përfundimtar të padenjë.

I shqetësuar për ri-hyrjen e tij në Austri, Vesel Avdulahi dëshironte siguri më të madhe të mundshme, pasi kartela e qëndrimit që i ishte hequr në aeroport një muaj më parë nuk u kthye. Zgjidhja e shpejtë e kërkesës së tij për një zgjatje të kartelës së qëndrimit gjithashtu dukej e pamundur. Prandaj zgjidhja ishte rekomandimi i kufirit.

Një rekomandim kufiri mund të lëshohet nga ambasada lokale përgjegjëse e Austrisë për një hyrje të vetme në një kohë të caktuar. Kjo në thelb kërkon koordinim me autoritetet në Austri.

Pasi ambasada në Prishtinë ishte informuar për faktet dhe kishte caktuar një takim në kohë për aplikimin, Departamenti Komunal i Vjenës (MA 35) dhe Ministria e Brendshme konfirmuan se nuk ka pengesa në lidhje me ri-hyrjen.

Urdhri penal

Vesel Avdulahi kështu pati mundësi të udhëtonte në varrimin e gruas së tij me qetësi. Por, kur u zbulua në aeroport gjatë nisjes për në Kosovë se viza që i ishte lëshuar më 18 dhjetor 2020 kishte skaduar, atij iu kërkua të tregonte adresën e tij në Kosovë në mënyrë që gjoba administrative të mund të vihej atje.

Në fakt, vetëm disa ditë pas varrimit të gruas së tij, ai mori një urdhër ndëshkimi nga Departamenti i Policisë i Austrisë së Ulët, duke i shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh, përcjell albinfo.ch. Ai e kundërshtoi këtë gjobë sepse leja e tij e qëndrimit të pakufizuar është ende e vlefshme dhe akuza për qëndrim të paligjshëm është e pasaktë.

Në anën tjetër, MA 35 ia ka lejuar lejen e qëndrimit të pakufizuar dhe i ka lëshuar kartelën e re. Përkundër zhgënjimeve të muajve të kaluar, Vesel Avdulahi mbetet pjesëtar i Kosovës dhe Austrisë sipas konceptit të identitetit shoqëror.

Në Kosovë ai viziton varrin e gruas, kurse në Austri jeton me fëmijët e tij.