Ambasada amerikane për kapjen e drogës në Lipjan: Suksesi vjen përmes bashkëpunimit me partnerët

  • E.K /
  • 18 May 2021 - 10:42
 Ambasada amerikane për kapjen e drogës në Lipjan: Suksesi vjen përmes bashkëpunimit me partnerët

Ambasada amerikane në Kosovë, ka përgëzuar autoritetet kosovare për konfiskimin e një sasie të madhe droge në Lipjan.

Ambasada përmes një postimi në Twitter ka shkruar se konfiskimi i djeshëm është një fitore e madhe për sundimin e ligjit.

“Luftimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës kërkon vendosmëri dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Ju lumtë autoriteteve të Kosovës për konfiskimin e djeshëm të drogës në Lipjan – suksesi përmes partneriteteve globale midis Kosovës, Italisë, Shqipërisë, & DEA-s. Fitore e madhe për sundimin e ligjit”, thuhet në postim.

Katërqind kilogramë kokainë u kapën në një konteiner me mish që vinte nga Brazili. Ndërkohë kokaina ishte futur në disa pako kartoni, ndërsa ambalazhi dyshohet të jetë i ngjashëm me paketimin e mishit për tu kamofluar.

Lidhur me këtë rast, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media bëri të ditur se vlera e kokainës së konfiskuar kap shifrën rreth 20 milionë euro.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, autoritet italiane dhe auto amerikane. Janë konfiskuar 400 kg kokainë vlera e të cilave arrinë rreth 20 milionë euro. Po ashtu janë konfiskuar disa makina dhe mjete tjera. Gjatë hetimit janë përdorur masa të fshehta duke shikuar lëvizjen e të dyshuarve nga Italia deri në vendin tonë”, ka deklaruar Lumezi.

(Kosova Sot Online)