Amnesty International e dënon vendimin e ShBA-së për t’i shitur armë Izraelit

  • E.K /
  • 18 May 2021 - 12:21
 Amnesty International e dënon vendimin e ShBA-së për t’i shitur armë Izraelit

Grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka dënuar planet e Shteteve të Bashkuara për t’i shituar armë në vlerë të 735 milionë dollarëve Izraelit në kohën e konfliktit me grupet e armatosura palestineze.

Ky grup tha se miratimi i shitjes së këtyre armëve nga administrata amerikane e minon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për përkrahjen e të drejtave të njeriut në botë, shkruan Al Jazeera.

“Duke ofruar armë që mund të përdoren për të kryer krime lufte, qeveria amerikane është duke rrezikuar për t’i nxitur sulmet e mëtejme kundër civilëve dhe për të parë më shumë të vrarë apo të lënduar nga armët amerikane”, tha përmes një deklarate Philippe Nassif, drejtor i avokimit i kësaj organizate për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Ai bëri thirrje që presidenti amerikan ta rishikojë këtë vendim. “Qindra civilë, palestinezë e izraelitë, tashmë e kanë humbur jetën në këtë konflikt. Administrata e Bidenit duhet ta rishqyrtojë vendimin e vet për të dërguar armë në një situatë ku të drejtat e njeriut dhe ligji humanitar ndërkombëtar shkelen çdo ditë dhe, nëse është e nevojshme, Kongresi duhet ta kundërshtojë këtë shitje”, shtoi Nassif.

Organizata e njohur për të drejtat e njeriut i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që menjëherë të vendosë embargo armësh ndaj Izraelit, Hamasit dhe grupeve tjera të armatosura palestineze me qëllim të parandalimit të shkeljeve të mëtejme të ligjit humanitar ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut nga të gjitha palët e konfliktit.

(Kosova Sot Online)