Franca, Egjipti e Jordania s’e presin ShBA-në, nisin punën për armëpushim në Gaza

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 11:07
 Franca, Egjipti e Jordania s’e presin ShBA-në, nisin punën për armëpushim në Gaza

Po shtohet presioni ndërkombëtar ndaj Shteteve të Bashkuara për të hequr dorë nga vetoja në Këshill të Sigurimit rreth një deklarate me të cilën do të bëhej thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës.

Pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të martën në mbrëmje, Shtetet e Bashkuara për herë të katërt refuzuan që të pajtohen për një deklaratë të përbashkët të këtij organi rreth thirrjes për armëpushim mes Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Egjipti ka bërë thirrje për ndërmjetësim në përfundimin e luftimeve, ndërsa Franca kërkoi rezolutë të Këshillit të Sigurimit rreth dhunës mes dy palëve, në kohën kur trysnia e diplomacisë ndërkombëtare po shtohet.

Pavarësisht bllokimit të deklaratës së Këshillit të Sigurimit, shenjat e para për një armëpushim të mundshëm kanë filluar të shfaqen. Përpjekjet e Egjiptit kanë fituar momentum në mesin e grupeve të Gazës, ndërsa raportohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë zyrtarëve në jug të vendit se luftimet mund të përfundojnë brenda disa ditësh, shkruan The Guardian.

Jordania gjithashtu ka lobuar në mënyrë intensive për ndërprerjen e dhunës dhe i është bashkuar thirrjes së Francës për paraqitjen e një rezolute që garanton lehtësim urgjent humanitar.

Përkrahje për thirrjen e Francës ka ofruar edhe Kina. Ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha para gazetarëve se ekipi i tij ka dëgjuar për propozimin e Francës për armëpushim dhe se Kina e përkrah atë.

Presidenti i Francës, Emannuel Macron, tha të hënën se do të punojë me presidentin e Egjiptit dhe Mbretin e Jordanisë për një propozim konkret për armëpushim dhe për rrugën e mundshme drejt bisedimeve mes Izraelit dhe Palestinezëve.

(Kosova Sot Online)