Zyrtari izraelit: Nëse s’ka befasi, armëpushimi pritet të arrihet të enjten

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 12:08
 Zyrtari izraelit: Nëse s’ka befasi, armëpushimi pritet të arrihet të enjten

Një zyrtar i lartë politik i Izraelit tha të martën në mbrëmje se nëse nuk ka ndryshim befasues të rrjedhjes së ngjarjeve, armëpushimi me palestinezët pritet të arrihet të enjten, raporton gazeta izraelite, Haaretz.

Në Jerusalem, vlerësohet se operacioni ushtarak në Gaza do të përfundojë brenda pak ditësh, sepse forcat izraelite dhe Hamasi i kanë arritur objektivat e tyre përkatëse.

Udhëheqësit e fushës së mbrojtjes dhe zyrtarët politikë identifikuan tri rrugë të mundshme për arritjen e armëpushimit: ndërmjetësimi i Egjiptit, ndërmjetësimi i Kombeve të Bashkuara ose armëpushimi i njëanshëm nga Izraeli, që ka gjasë të pasohej me reciprocitet nga Hamasi.

Burimet izraelite besojnë se Hamasi tashmë ka përmbushur shumë qëllime në vargun e fundit të përleshjeve: pozicionimi si mbrojtës i Xhamisë Al-Aqsa, përforcimi i pranisë në Bregun Perëndimor dhe ofrimi i ndihmës për Yahya Sinëar për synimin e tij personal që të bëhet pasardhës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas.

Gjatë bisedës telefonike me Netanyahun të hënën, raportohet se presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje që palët të përpiqen që të arrijnë një armëpushim dhe i kërkoi Netanyahut që t’u japë fund operacioneve ushtarake.

(Kosova Sot Online)