Morën kritika nga opozita, Sveçla: Vendimi i sotëm nuk ka të bëjë me Mini-Shengenin

  • A.P /
  • 21 May 2021 - 21:56
Morën kritika nga opozita, Sveçla: Vendimi i sotëm nuk ka të bëjë me Mini-Shengenin

Pas akuzave që iu bënë nga ushtruesi i detyrës së PDK’së, Enver Hoxhaj, lidhur me vendimin e sotëm për të cilin pretendohet se i hap udhë Mini-Schengenit ballkanik, ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla me anë të ‘Facebook’-ut të tij personal ka thënë se ky vendim nuk ka të bëjë me Mini-Schengenin, duke thënë se kjo ka të bëjë me dialogun.

“Vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-shengen, por ka të bëjë me nisma në kuadër të procesit të Berlinit në të cilat Kosova duhet të jetë palë e barabartë.

“Procesi i Berlinit është ide dhe nismë e Kancelarës Merkel, kurse zona mini-shengen apo më saktë Novi Sad është ide e Vuciq dhe mbështetet nga ai”, ka thënë Sveçla.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se ka filluar zbatimin e Mini-Shengenit, e sipas Hoxhës, vetë Kurti e quante këtë projekt “Jugosllavia e Re”.

Hoxhaj tha se ende pa filluar zyrtarisht dialogu Kosovë-Serbi, Kurti po zbaton ‘mini-shengenin’, ku sipas tij, Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit.

“Kryeministri Albin Kurti ende pa e nisur zyrtarisht dialogun me Serbinë, sot paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-shengenit ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit. Kohë më parë kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e re. E pra tani me dorën e tij e nisi Jugosllavinë e re andaj urime Albin!”, ka shkruar Hoxhaj. 

(Kosova Sot Online)