Edhe kjo ndodh: E kishte në dorë tiketën gërvishtëse 1 milion dollarëshe, vendos t’ia rikthejë pronares

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 09:27
 Edhe kjo ndodh: E kishte në dorë tiketën gërvishtëse 1 milion dollarëshe, vendos t’ia rikthejë pronares

Pronarët e një dyqani në Massachusetts i kthyen tiketën fituese të lotarisë në vlerë prej 1 milion dollarësh një klienteje, e cila mendoi se ajo tiketë ishte humbëse dhe kërkoi që të hidhej.

Lea Rose Fiega nga Springfield kërkoi çmimin prej 1 milion dollarësh nga Lotaria Shtetërore e Massachusetts, por për pak sa nuk e humbi këtë çmim pasi ngatërroi biletën e saj gërvishtëse me një tjetër.

Abhi Shah, familja e të cilit zotëron dyqanin Lucky Stop në Southwick, tha se Fiega gërvishti biletën teksa ishte ende brenda dyqanit dhe iu drejtua nënës së Shah duke i thënë që ta hidhte tutje.

Bileta u vendos prapa banakut, ku qëndroi për 10 ditë para se Shah të vendoste të skanonte grumbujt e biletave të supozuara humbëse.

Ai tha se zbuloi që bileta nuk ishte gërvishtur plotësisht dhe e përfundoi atë për të zbuluar çmimin prej 1 milion dollarësh.

Shah foli me familjen e tij dhe ata ranë dakord që bileta të kthehej te Fiega, e cila është një kliente e rregullt dhe e njohur për familjen.

“Sapo hyri, unë i dorëzova biletën 1 milion dollarëshe dhe ajo u çudit dhe qau si fëmijë duke u ulur në tokë”, tha babai i Shah, Maunish për WWLP-TV.

(Kosova Sot Online)