Mbështetësi i LVV-së një hap larg për t’u bërë gjykatës i Gjykatës Kushtetuese

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 11:16
 Mbështetësi i LVV-së një hap larg për t’u bërë gjykatës i Gjykatës Kushtetuese

Avokati Vigan Qorrolli është vlerësuar me më së shumti pikë në mesin e 10 të tjerëve që kandiduan për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Intervistimi i kandidatëve për një pozitë të lirë gjykatësi në autoritetin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në Kosovë është bërë dje nga komisioni i posaçëm, ndërsa një test me shkrim është zhvilluar paraprakisht. Media merr vesh se Qorrolli dhe tre kandidatë të tjerë (Hilmi Jashari, Haxhi Xhemajli e Visar Morina) e kanë kaluar hapin e radhës në konkurs. Se cili nga ta do të bëhet gjykatës në Kushtetuese tashmë do ta vendosin deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Qorrolli, që në të kaluarën e afërt ka regjistruar një dështim për t’u bërë gjykatës në Kushtetuese, duket se këtë radhë ka më shumë gjasa që ta arrijë synimin, pasi partia që ai e mbrojti vazhdimisht së fundmi, Lëvizja Vetëvendosje, tani është në pushtet dhe e ka shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Votat e shumicës së deputetëve nevojiten për t’u zgjedhur një gjykatës i Kushtetueses.

Në tentimin e para tri viteve, ai kishte marrë më së paku vota (6) në Kuvendin e Kosovës, duke dështuar të bëhet gjykatës në Kushtetuese. Pas dështimit, ai akuzonte se disa kandidatë favorizoheshin politikisht.

“Politika ka favorizuar disa kandidatë, përballë disa të tjerëve, duke mos i lënë deputetët e lirë të votojnë me ndërgjegjen e tyre dhe t’i votojnë njerëzit më të mirë në bazë të CV-së së tyre, ka bërë që Gjykata Kushtetuese të lëndohet më shumë se që është lënduar”, shprehej ai në në gusht të vitit 2018.

Ai thoshte se deputetët ishin të detyruar të votonin pro përkrahësve të partive në qeveri, ndërsa këtë herë mund t’i duhet të shpresojë për të njëjtën.

“Kam tentuar që të jem një kandidat bipartizan, që t’i bindi të gjitha partitë politike që jam kandidati më i pavarur nga të gjithë të tjerët. Nuk ia kam dalë, sepse deputetët nuk janë lejuar të votojnë lirshëm dhe partitë e pushtetit kanë bërë pazare që t’i votojnë kandidatët e tyre të preferuar”, deklaronte Qorrolli.

Qëndrimet e Qorrollit prej juristi së fundmi kanë qenë gjithnjë në kundërshtim me vendimet e kësaj gjykate. Por me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media shprehej pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Kur Qeveria e parë e Albin Kurtit ishte rrëzuar dhe LVV kërkonte që të shpalleshin zgjedhjet e reja, Qorrolli shprehej po njësoj, se pushteti i takon vetëm partisë që del e para në rezultatin zgjedhor.

Gjatë kësaj kohe, Qorrolli citohej e thirrej edhe si analist politik. Ai fliste për pazare e nuk hezitonte të pozicionohej qartazi, ndërsa thoshte se atëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte shkelur Kushtetutën duke ia dhënë një partie tjetër (LDK-së) të drejtën për të caktuar mandatarin për kryeministër.

Por paanshmëria është fjalë shumë e rëndësishme në betimin që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet ta japin kur e marrin detyrën.

Sipas ligjit, Komisioni posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, bashkangjitur me listën e ngushtë të të përzgjedhurve, tani duhet t’ia dërgojë Kuvendit listën e të gjithë kandidatëve të cilët i plotësuan kushtet për t’u zgjedhur gjykatës. Në fund, në organin më të lartë ligjvënës, me shumicë votash vendoset se cili nga ta do të përzgjidhet për ta marrë këtë detyrë.

Përveç Qorrollit, Jasharit, Xhemajlit e Morinës, për gjykatës të Kushtetueses kishin aplikuar edhe Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Valbona Shala-Thaqi, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi.

(Kosova Sot Online)