Ramush Haradinaj pas takimit me Albin Kurtin: ShBA-ja ta emërojë një emisar për dialogun me Serbinë, Lajçak nivel i ulët

  • E.K /
  • 25 maj 2021 - 13:50
Ramush Haradinaj pas takimit me Albin Kurtin: ShBA-ja ta emërojë një emisar për dialogun me Serbinë, Lajçak nivel i ulët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka takuar Kryeministrin Albin Kurti. Pas këtij takimi, Haradinaj në një konferencë për media ka treguar çka është biseduar aty.

Haradinaj tha se në takimin me Kurtin të pranishëm ishin edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi dhe nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini.

Ai tha se në takim u fol për dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Tema ishte dialogu. Me datën 6 maj të këtij viti i kam dërguar një letër Kryeministrit dhe kam kërkuar një takim për çështjen e dialogut, ku i kemi shprehur disa nga shqetësimet tona për dialogun. Në takim kemi dëgjuar disa qëndrime të Kryeministrit rreth dialogut, njëkohësisht kam shprehur disa qëndrime por edhe shqetësime të Aleancës, rreth dialogut. Ajo që hetojmë është një mungesë e prezencës e SHBA-së në dialog. Mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balansin e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga Amerika. Po e shohim se peshën kryesore në dialog e ka Lajçak, por që është nivel i ulët i përfaqësimit për agjendë, pra nuk janë liderët. Nuk shihet një agjendë e plotë”. ka thënë Haradinaj.

Tutje ai ka komentuar edhe deklaratën e Kurtit ku tha se Ballkanit duhet të çlirohet nga kriminelët.

“Kosova nuk mundet me u barazua me Serbinë termi nuk është i drejtë. Termi i drejtë është që Serbia s’është demilitarizu, ka nevojë Serbia me u çliru prej kriminelëve të luftës”. deklaroi Haradinaj.

Të mërkurën Kurti do ta takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Për dallim nga Abdixhiku dhe Haradinaj, kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj ka refuzuar takimin e Kurtit.

Kurti u kishte dërguar letër liderëve të partive parlamentare për t’u takuar dhe koordinuar për çështjet me interes kombëtar.

(Kosova Sot Online)