Armëpushimi po respektohet, në Gaza u vjen radha për trajtim kafshëve të plagosura

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 09:19
 Armëpushimi po respektohet, në Gaza u vjen radha për trajtim kafshëve të plagosura

Grupet për mirëqenien e kafshëve kanë filluar t’i trajtojnë qentë e macet e rrugës dhe kafshët e tjera, të cilat kanë pësuar lëndime gjatë konfliktit 11-ditor mes Izraelit dhe Hamasit. Gjatë asaj periudhe, Gaza u godit nga qindra raketa izraelite.

Saeed El-Aer, drejtor i Shoqërisë Sulala për Trajtimin dhe Kujdesin për Kafshët, ka dalë rrugëve të Gazës për të marrë qen dhe mace të braktisura dhe për t’u ofruar atyre trajtim mjekësor, ushqim dhe strehim, shkruan Reuters.

“Ne ende po pranojmë thirrje telefonike për qen dhe mace të plagosura në luftë dhe ende po përpiqemi që të shkojmë te to për t’u ndihmuar”, tha ai.

Image

Foto: Reuters

Posa armëpushimi u arrit të premten e kaluar, El-Aer shkoi me ngut në strehimoren e tij për kafshë, të ndërtuar në një copë toke të dhënë nga komuna në lagjen Zeitoun të Gazës.

“Të gjithë qentë i gjeta jashtë saj. Ata ishin të pikëlluar, të frikësuar dhe të tmerruar. U befasova kur pashë një majmun të ngordhur dhe një kalë të plagosur, i cili më vonë ngordhi. Gjeta qen të plagosur nga copëzat e bombave dhe ende po i trajtoj ata”, shtoi El-Aer.

Image

Foto: Reuters

Gaza, enklavë me dy milionë banorë, tani po përballet me detyrën e rindërtimit të infrastrukturës së dëmtuar pas konfliktit të katërt me Izraelin që nga koha kur Hamasi e mori pushtetin më 2007.

Në veri të Rripit të Gazës, copat e bombave nga sulmet ajrore izraelite, të cilat shkatërruan një shtëpi aty afër, e goditën edhe stallën e Omar Shahinit, duke lënduar tre nga katër kuajt e tij. Ai nuk pati mundësi që ta shpëtonte njërin prej tyre, që ngordhi pasi ishte goditur nga një pjesë e raketës, e cila i kishte shkaktuar thyerje në kafkë dhe gjakderdhje të brendshme.

(Kosova Sot Online)