I dyshuari e ka plagosur edhe vëllanë – detaje të reja për plagosjen në Fushë Kosovë

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 09:25
 I dyshuari e ka plagosur edhe vëllanë – detaje të reja për plagosjen në Fushë Kosovë

Policia në Fushë Kosovë ka arrestuar katër persona. Pas një mosmarrëveshjeje, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri një person, ndërsa dyshohet se aksidentalisht ka qëlluar edhe vëllanë e tij.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa në raportin 24 orësh të policisë është bërë e ditur se në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe katër gëzhoja.

“Fushë Kosovë 26.05.2021-22:40.  Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje-përleshje, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar ndërsa dyshohet se aksidentalisht ka qëlluar edhe vëllain e tij. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë  dhe katër gëzhoja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Viktimat dhe një prej të dyshuarve janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.

Tre të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje.

“Dy viktimat  dhe një i dyshuar mashkull kosovar janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor,  ku ky i fundit gjendet nën përkujdesjen e policisë. Tre të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, bën të ditur policia.

Ndërkohë, mbrëmë në media është publikuar edhe momenti kur i dyshuari është vetëdorëzuar e më pas arrestuar nga policia.

(Kosova Sot Online)