Fiton miliona, por Irani ndërpret prodhimin e kriptovalutave, kjo është arsyeja

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 10:19
 Fiton miliona, por Irani ndërpret prodhimin e kriptovalutave, kjo është arsyeja

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka njoftuar për një ndalim 4-mujor të prodhimit të të gjitha llojeve të kriptovalutave. Ky vendim erdhi pasi Republika Islamike filloi të përballet me ndërprerje të paplanifikuara të rrymës në disa qytete të mëdha.

Në fjalimin e transmetuar në televizion të mërkurën, Rohani tha se prodhimi i kriptovalutave dhe aktivitetet rreth tyre duhet të ndalen në tërë shtetin deri më 22 shtator, shkruan Free Europe.

Zyrtarët iranianë vazhdimisht i kanë fajësuar prodhuesit e palicensuar të kriptovalutave për shpenzimin e një sasie të madhe të energjisë elektrike, me ç’rast e kanë ngarkuar rrjetin elektrik dhe e kanë shtuar ndotjen e ajrit në shumë qytete.

Procesi i prodhimit të kriptovalutave është barrë e rëndë për rrjetin elektrik për shkak të shpenzimit të madh të energjisë. Kur procesi kryhet me sukses, prodhuesit krijojnë monedha digjitale, të cilat mund të tregtohen në rrjetin ndërkombëtar pa vëzhgim të hollësishëm dhe pa kufizimet që janë në tregjet tradicionale financiare.

I përballur me sanksione të ashpra ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, Irani në gusht të vitit 2019 i lehtësoi kufizimet për aktivitetet me kriptovaluta për t’i anashkaluar tregjet tradicionale financiare, të cilat nuk mund t’i shfrytëzojë shkaku i sanksioneve. Në mesin e masave lehtësuese është edhe çmimi më i ulët i energjisë për ata që merren me këtë aktivitet.

Si rezultat i këtij vendimi, kriptovalutat si Bitcoin tani mund të shfrytëzohen në Iran për t’i financuar importet nga shtetet tjera.

(Kosova Sot Online)