Aleksander Lukashenko bëhet qesharak: Kërcënimi për bombë në aeroplan erdhi nga Zvicra

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 11:36
Aleksander Lukashenko bëhet qesharak: Kërcënimi për bombë në aeroplan erdhi nga Zvicra

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka pretenduar se kërcënimi me bombë në një aeroplan pasagjerësh ka ardhur nga Zvicra.

Ai këtë deklaratë e bëri përderisa po fliste para një grupi të deputetëve dhe zyrtarëve në Minsk të mërkurën. Lideri autoritar gjithashtu tha se reagimet ndaj këtij incidenti treguan se Evropa po vepron me armiqtë e saj të brendshëm për ta destabilizuar Bjellorusinë.

“Ashtu siç parashikuam, dashakëqijtë nga jashtë dhe nga brenda vendit i kanë ndryshuar metodat e sulmit ndaj nesh. Ata kanë kaluar shumë vija të kuqe dhe i kanë kaluar kufijtë e logjikës dhe moralit njerëzit”, shtoi presidenti bjellorus.

Ndonëse Lukashenko tha se kërcënimi ndaj aeroplanit ka ardhur nga Zvicra, zyrtarët e vendit të tij më parë kanë pretenduar se kërcënimi është bërë nga grupi palestinez, Hamas, shkruan Independent.

Lukashenko, që është në pushtet që 27 vjet, tha se Bjellorusia është bërë tabelë eksperimentale e të shtënave për Perëndimin, i cili, sipas tij, po synon që të vazhdojë drejt lindjes, deri në Rusi.

Bashkimi Evropian i ka vendosur sanksione të reja Bjellorusisë pas incidentit me devijimin e fluturimit dhe arrestimin e një gazetari. Cak i këtyre sanksioneve janë kompania shtetërore ajrore, kompani tjera dhe personat e rrethit të brendshëm të presidentit Lukashenko. Shumica e kompanive ajrore të Evropës i kanë pezulluar fluturimet nëpër qiellin e Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online)