Gënjeu spitalin, policia arreston 39-vjeçarin e plagosur dhe një 46-vjeçar, për çfarë akuzohen

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 11:54
 Gënjeu spitalin, policia arreston 39-vjeçarin e plagosur dhe një 46-vjeçar, për çfarë akuzohen

Blutë e Vlorës kanë arrestuar 39-vjeçarin Ergys Likaj, që mbeti i plagosur me armë zjarri në të dyja këmbët mbrëmjen e së mërkurës në qytetin bregdetar.

39-vjeçari akuzohet për moskallëzim krimi. Bashkë me të është arrestuar edhe një 46-vjeçar me iniciale K.Xh., ndaj të cilit rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit dhe deklaratë të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësorë. 39-vjeçari u paraqit i plagosur në Spitalin e Vlorës me plagë plumbi në të dyja këmbët.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku në spitalin e Vlorës u paraqit për ndihmë mjekësore, shtetasi E. L., 39 vjeç, dyshohet i plagosur me armë zjarri, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. L., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe K. Xh., 46 vjeç banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)