Dy versione të Policisë për vdekjen e pacientit në autoambulancën e aksidentuar

  • E.K /
  • 27 maj 2021 - 13:37
Dy versione të Policisë për vdekjen e pacientit në autoambulancën e aksidentuar

Të mërkurën, një autoambulancë me pacient në të, është përfshirë në aksident në hyje të Gjilanit. Ajo çfarë dihet deri më tash sigurt është se pacienti ka vdekur po dje. E për shkaqet e vdekjes së pacientit, Policia ka dhënë pak informata dhe jo krejt të konfirmuara.

Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se në rrugën “Avdullah Tahiri” në Gjilan, ka vdekur një person në aksident. Nuk jepen më shumë detaje.

E zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi aksidentimin e autoambulancës, po të mërkurën, po në të nëjtën rrugë dhe në të njëjtën kohë – 11:25. Hashani konfirmoi edhe vdekjen e pacientit brenda autoambulancës, por sipas tij, pacienti ka vdekur para aksidentit, bazuar në konstatimet e stafit shëndetësor të autoambulancës dhe qendrës emergjente në Gjilan.

Megjithatë ai ka thënë se këtë do të konfirmojë obduksioni i trupit të të ndjerit.

“Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se aksidenti i trafikut ka ndodhur kur ( automjeti i ndihmës së shpejtë me targa 01 i cili vinte nga drejtimi i Kamenicës me të arritur në hyrje të Gjilanit, të njëjtit i pret rrugën automjeti Mitsubishi me targa 06 dhe me këtë rast, shkaktohet aksident trafiku me dëme të vogla në automjetet e involvuara”, ka thënë Hashani për KOHËN.

Ai shton se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

“Sipas personelit mjekësor që ishte duke e transportuar L. M. (1932) tani i ndjerë, i cili ka qenë duke u dërguar në QE Gjilan me automjetin e ndihmës së shpejtë, që nga fshati Dobërqan i njëjti sipas konstatimit të personelit mjekësor nuk ka pasur puls. Po ashtu sipas mjekëve kujdestarë në QE Gjilan, dyshohet se personi i cili ka qenë duke u transportuar në QE Gjilan, të ketë ndërruar jetë kohë më parë para se autoambulanca të arrinte në Gjilan dhe para se të ketë ndodhur aksidenti” ka thënë Hashani.

Media lokale kanë raportuar për këtë ngjarje, duke thënë se pacienti ka vdekur në aksident, njëjtë siç thuhet në raportin e Policisë.

“Aksident trafiku me fatalitet. Rr. Avdullah Tahiri, Gjilan 26.05.2021-11:25. Është raportuar për një aksident trafiku në mes të dy automjeteve. Përveç dëmeve materiale lëndime vdekjeprurës ka pësuar një kosovar. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion në Prishtinë”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti gjithashtu po hetohet nga njësitet trafikut rajonal në Gjilan.

(Kosova Sot Online)