Pas BE-së, edhe ShBA-ja do t’i vendosë sanksione shtesë Bjellorusisë shkaku i aeroplanit

  • E.K /
  • 29 May 2021 - 09:32
 Pas BE-së, edhe ShBA-ja do t’i vendosë sanksione shtesë Bjellorusisë shkaku i aeroplanit

Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione shtesë Bjellorusisë pas devijimit të fluturimit të një aeroplani udhëtarësh dhe arrestimit të një gazetari që ndodhej në aeroplan.

Në mesin e masave të reja ndëshkuese do të përfshihen sanksionet e plota ndaj nëntë kompanive shtetërore bjelloruse, tha të premten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shkruan Free Europe.

“Ne i marrim këto masa, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, që ta mbajmë përgjegjës regjimin për veprimet e tij dhe për ta shfaqur përkushtimin tonë ndaj aspiratave të popullit të Bjellorusisë”, deklaroi ajo.

Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu duke u koordinuar me BE-në dhe partnerët tjerë për të hartuar një listë të sanksioneve me cak kundër anëtarëve kyçë të qeverisë bjelloruse, të cilët janë të lidhur me abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, korrupsionin, falsifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe ngjarjet e 23 majit, shtoi Psaki.

Bjellorusia e devijoi fluturimin e kompanisë “Ryanair” më 23 maj duke pretenduar se aeroplani ka kërcënim për bombë, ndërsa pas aterrimit të tij arrestoi një gazetar disident. Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi të Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online)