Arben Vitia: Buxheti për Listën Esenciale të Barnave nuk do t’i plotësoj nevojat deri në fund të vitit, kemi kërkuar ndihmë

  • E.K /
  • 01 June 2021 - 11:15
Arben Vitia: Buxheti për Listën Esenciale të Barnave nuk do t’i plotësoj nevojat deri në fund të vitit, kemi kërkuar ndihmë

Vitia: Buxheti për Listën Esenciale të Barnave nuk do t’i plotësoj nevojat deri në fund të vitit, kemi kërkuar ndihmë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi për gjendjen me pandeminë e strategjinë legjislative të ministrisë.

Me këtë rast, Vitia ka folur edhe për buxhetin e ndarë për Listën Esenciale të Barnave, duke thënë se ai është ulur dyfish për këtë vit.

“Buxheti për Listën e Barnave Esenciale është ulur dyfish për vitin 2021, Nga rreth 11 milionë euro që ka qenë në vitin 2020, në kohë pandemie për vitin 2021 është përgjysmuar. Kjo ka sjellë probleme, me një plotësim të listës së barnave me një shifër e cila në Kosovën e pasluftës nuk di a ka ekzistuar ndonjëherë”, ka thënë ai.

Vitia është shprehur se kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe projekti për Shëndetësi i Bankës Botërore që të ua mundësoj rritjen e buxhetit për barna dhe material shpenzues.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Financave dhe nga projekti për Shëndetësi i Bankës Botërore që të na mundësoj që ky buxhet të rritet sepse nuk është e vërtetë që buxheti që ka qenë do t’i plotësoj nevojat deri në fund të vitit. Sipas projeksionit me buxhetin i cili ka qenë i përgjysmuar deri në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, kujdesi parësor shëndetësorë ka rrezikuar që të mbetet pa shumicën e barnave esenciale”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)