Miroslav Lajçak pas Prishtinës do të vizitoj edhe Beogradin

  • E.K /
  • 02 June 2021 - 10:51
Miroslav Lajçak pas Prishtinës do të vizitoj edhe Beogradin

Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se Emisari Miroslav Lajçak ka përmbyllur vizitën në Prishtinë dhe gjatë kësaj jave do të udhëtojë për në Beograd.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Lajçak, u takua me udhëheqësit e Kosovës për të bërë përgatitjet për takimin e parë të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë.

Sot, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmbylli vizitën e tij 2-ditore në Kosovë.

Ambasadori Lajçak vizitoi Kosovën si pjesë e përgatitjeve të nevojshme për takimin e nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë të planifikuar për në fund të këtij muaji.

Ky ishte fokusi i konsultimeve të tij me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti, Zëvendës Kryeministrin e Parë për Integrimin Evropian, Zhvillimin dhe Dialogun Bislimi, Zëvendës Kryeministren e Dytë, Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës Gërvalla.

“Vizita ime në Kosovë ishte një vizitë produktive me qëllimin kryesor për të siguruar përgatitjen sa më të mirë të takimit të liderëve në Bruksel më vonë gjatë qershorit”, tha z. Lajçak.

Në Kosovë, Ambasadorit Lajçak iu bashkua Matthew A. Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. “Sot jam këtu me mikun tim të mirë Matt Palmer, gjë që është një shenjë e bashkëpunimit tonë të ngushtë transatlantik”, përfundoi Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së.

Z. Lajçak gjithashtu u takua me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe krerë të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.

Më vonë gjatë kësaj jave, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Lajçak, do të vizitojë Beogradin për të vazhduar përgatitjet për takimin e nivelit të lartë.

(Kosova Sot Online)