“Ranë në pazar”. Peker nuk nxjerr videon e premtuar kundër Erdoganit, mediat: Çfarë ndodh në korridoret e politikës turke

  • G.G /
  • 03 June 2021 - 12:23
“Ranë në pazar”. Peker nuk nxjerr videon e premtuar kundër Erdoganit, mediat: Çfarë ndodh në korridoret e politikës turke

Bosi i mafias turke, Sedat Peker tronditi politikën e vendit me rrëfimet e tij për raportet e politikanëve të lartë me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe furnizimin armë të terroristëve të “Al Nusra-s” në Siri.

Deri më tani, ai ka publikuar 8  video, në të cilat ka shprehur akuza të forta dhe fakte ndaj ministrit të Brendshëm Suleyman Soylu; të ashtuquajturit kreut të “Shtetit të Nëndheshëm”turk, Mehmet Agar; ish-kryeministrit Binali Yildirim, etj.

Gjatë videove të tij, Peker, edhe pse i bëntë presion Erdoganit për publikimin e fakteve kundër tij, ai nuk e sulmoi asnjëherë presidentin duke premtuar se videon e radhës, këtë të dielë, do ta kishte pikërisht kundër tij.

Mirëpo, një ditë më parë, Peker është shprehur përmes një postimi në Twitter se videon kundër Erdoganit,  ku do të fliste se si u furnizuan me armë terroristët e “Al Nusras” në Siri me urdhër të tij dhe përfshirjen e familjes në skema të mëdha korrupsioni, ai e kishte shtyrë për në datë 14 qershor dhe jo këtë të dielë.

Analistët e politikës turke dhe më gjerë shprehen se gjatë videove të tij Peker ishte në kërkim të një pazari mes tij dhe Erdoganit dhe duket se marrëveshja është arritur për aq kohë sa bosi i mafias turke shtyu publikimin e videos për Presidentin. Peker ishte prishur me të gjithë ish-aleatët e tij siç ishin ministri i Brendshëm Soylu apo edhe të tjerë dhe i vetmi person, tek i cili mund të shpresonte mbrojtje ishte pikërisht Erdogan.

Peker shkruan të Twitter se shtyu publikimin e videos sepse nxjerrja e fakteve kundër tij do të dobësonte Presidentin Erdogan përballë Biden në takimin e tyre javën tjetër.

Peker ka përballë kreun  e “Shtetit të Nëndheshëm” turk Mehmet Agar, ministrin Soylu dhe grupin e dhëndrit të Erdoganit, Berat Albayrak.

“Skai.gr”raporton se shtyrja e videos së Erdoganit është një sinjal i qartë se presidenti i Turqisë dhe bosi i mafias kanë arritur marrëveshjen, ku Peker nuk do të flasë mbi furnizimin me armë të terroristëve të “Al Nusras”, që përbën një krim ndërkombëtar, kurse Erdogan do t’i ofrojë mbrojtje në Turqi.

Por, për të mbrojtur Pekerin, Erdoganit do t’i duhet të lëshojë ministrin e tij të Brendshëm dhe aleatin qeverisës, Devlet Bahçeli.

Mbetet për t’u parë në ditët dhe javët në vijim se si do të rikonfigurohet politika turke, ndërsa duket se videot e bosit të mafias janë testi më i fortë i saj që prej operacioneve anti-korrupsion të dhjetorit 2012.

(Kosova Sot Online)