Kompanive bjelloruse u ndalohen fluturimet në vendet e BE-së

  • E.K /
  • 05 June 2021 - 10:16
 Kompanive bjelloruse u ndalohen fluturimet në vendet e BE-së

Ka hyrë në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian për t’ua ndaluar qasjen kompanive ajrore bjelloruse në aeroportet e vendeve të BE-së dhe në hapësirën ajrore të këtyre shteteve.

BE-ja e mori këtë vendim të premten si kundërpërgjigje ndaj devijimit të detyruar të një fluturimi muajin e kaluar dhe arrestimit të një gazetari disident në Bjellorusi, shkruan Free Europe.

Përmes një deklarate, Bashkimi Evropian tha: “27 vendeve anëtare u kërkohet që t’i mohohet leja për të aterruar, për t’u ngritur në qiell ose për të kaluar nëpër hapësirën ajrore të territoreve të tyre secilin aeroplan me të cilin operojnë kompanitë ajrore bjelloruse.”

Zbatimi i këtij vendimi të BE-së do të jetë përgjegjësi e qeverive veç e veç. Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian tashmë e kanë zbatuar ndalimin për kompanitë bjelloruse.

Para vendimit të BE-së, kompania shtetërore bjelloruse, Belavia, kishte fluturime mes Bjellorusisë dhe rreth 20 aeroporteve në Evropë.

Vendet anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje Këshillit Evropian që të hartojë sanksione kundër individëve dhe kompanive në Bjellorusi si dhe sanksione të shënjestruara ekonomike ndaj këtij shteti autoritar.

(Kosova Sot Online)