MSH i lë pa insulinë pacientët me diabet

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 10:41
 MSH i lë pa insulinë pacientët me diabet

Ka rreth një muaj që qytetarët janë duke u ankuar për mungesë të insulinave në vend.

Përveç në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Qendrën Klinike Universitare, mungesë të insulinës ka edhe nëpër barnatore në vend, e kjo situatë është e njëjtë tash e disa javë.

Qytetarët janë ankuar se për këtë çështje nuk po gjendet zgjidhje nga pushteti qendror.

Media merr vesh se lloji i insulinës që është mungesë është “Novomix”.

Media ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për të parë se pse ka mungesë të insulinës dhe kur do të bëhet zgjidhje për pacientët që janë të sëmurë me diabet.

Deri më tani, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Gazeta ka raportuar edhe më herët për këto mungesa, derisa, pacientët për një kohë i kishin blerë vetë ilaçet që janë në listën e barnave esenciale. Më vonë mungesa pati edhe në barnatore.

Diabeti, konsiderohet si sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, si pasojë e çrregullimit të prodhimit të insulinës në organizëm.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta të raportuar, janë më shumë se 13 mijë persona që vuajnë nga kjo sëmundje në Kosovë.

(Kosova Sot Online)