Gjenerali serb: Nuk e humbëm luftën me NATO-n

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 11:13
 Gjenerali serb: Nuk e humbëm luftën me NATO-n

Gjenerali serb në pension, Lubisha Dikoviq thotë se Serbia nuk e ka humbur luftën me NATO-n në vitin 1999. Ai, në një intervistë për “Kurir”, mediumin e afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tha se planet e NATO-s nuk u materializuan dhe se nuk ndihet i mundur.

Sipas ish-shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, NATO-ja kishte për qëllim shkatërrimin e potencialeve mbrojtëse të Serbisë dhe se nuk prisnin që bombardimet të zgjasnin 78 ditë.

“Në vitin 1999, NATO nuk e arriti qëllimin e saj – shkatërrimin e potencialeve mbrojtëse të Jugosllavisë, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Planet e NATO-s nuk u materializuan, ata prisnin që brenda një kohe të shkurtër – tre deri në pesë ditë – të kapitullonim dhe ta nënshkruanim gjithçka që ata kërkuan. Kjo nuk ndodhi. Ata nuk e prisnin që e gjithë kjo do të zgjaste për 78 ditë”, tha Dikoviq.

Ai po ashtu u shpreh se ushtria serbe nuk e ka humbur luftën në Kosovë. Ai fantazon se NATO-s i është dashur një marrëveshje me Serbinë për ta ndalur luftën.

“Ushtria serbe sigurisht nuk e ka humbur luftën në Kosovë. Edhe pse ka nga ata që pretendojnë të kundërtën. Si ushtar, nuk ndihem i mundur. Ne nuk u mundëm, por dolëm në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u nënshkrua midis NATO-s dhe Jugosllavisë. A e nënshkruam kapitullimin? Jo, nuk mendoj se është kapitullim. Ishte një marrëveshje që detyron të dy palët. Marrëveshja, nga rruga, parashikonte praninë e forcave tona në Kosovë dhe Metohi, që nuk respektohet, por kjo është një çështje tjetër, ajo tashmë është parë nga politika”, tha ai.

Dikoviq tha se marrëveshja e nënshkruar i shkonte për shtat Serbisë atëherë.

“Për ta përfunduar, unë nuk mendoj se Serbia u mund nga NATO-ja në Kosovë, nuk mendoj se NATO-ja u mund nga pala jonë, ne dolëm nga konflikti me një marrëveshje, e cila në atë moment i shkonte për shtat neve dhe Aleancës. Vendim politik. Ne e tërhoqëm ushtrinë nga Kosova, ata nuk na dëbuan, nuk na rrethuan, nuk na shkatërruan”, tha Dikoviq.

Në vitin 2017, Fondi për të Drejtën Humanitare kishte publikuar një dukementar me titullin “Lubisha Dikoviq dhe brigada e 37 në Kosovë”. Aty ishin paraqitur prova mbi prezencën dhe rolin e Ushtrisë së Jugosllavisë në vrasjet masive të civilëve në Izbicë, Qirez, te Shavarinat, Rezallë dhe fshatrat e tjera të rajonit të Drenicës, e të cilat më parë ishin prezantuar në dosjet “Lubisha Dikoviq” dhe “Rudnica”.

Shumë televizione në Serbi, duke përfshirë edhe serviset publike RTS dhe RTV, kishin refuzuar dhe nuk ishin përgjigjur në kërkesën për ta shfaqur filmin.

(Kosova Sot Online)