“Dita e Gjykimit”, Beogradi i mbushur me grafite pro kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 11:59
 “Dita e Gjykimit”, Beogradi i mbushur me grafite pro kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq

Edhe një dekadë pasi Serbia ka ekstraduar në Gjykatën e Hagës ish-komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, fytyra e tij vazhdon të jetë e pranishme në Beograd – në muret e ndërtesave, në suvenire, por edhe në lëkurën e disave.

Në vitin 2017, Haga e ka dënuar Mlladiqin – në shkallë të parë – me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.

Vendimi përfundimtar për të pritet të martën.

Pas 15 vjetësh në arrati, Mlladiq është arrestuar nga policia serbe më 26 maj të vitit 2011 dhe menjëherë është dorëzuar në Tribunalin e Hagës.

Gjyqi kundër tij ka filluar në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.

Edhe pse është larguar fizikisht nga Serbia, ai duket se është ende i pranishëm atje – së paku sipas asaj që mund të shihet në rrugët dhe ndërtesat e Beogradit.

Mlladiq është dënuar për gjenocid ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, në verën e vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem, për përndjekje të myslimanëve dhe kroatëve nga Bosnja, për terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrje peng të pjesëtarëve të misionit të huaj, UNPROFOR, gjatë luftës në Bosnje.

Autoritetet në Serbi vazhdojnë të refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht vendimit të një gjykate ndërkombëtare që e ka konfirmuar atë.

Ky lloj i retorikës reflektohet edhe në shumë vende publike në kryeqytetin serb.

Aktivistët e organizatave joqeveritare në Serbi vazhdimisht kujtojnë krimet e kryera nën komandën e Mlladiqit. Por, ndarjet në shoqërinë e Serbisë rreth kësaj teme janë ende të mëdha.

Shpërndarja në internet e kësaj pamjeje në lagjen Beogradi i Ri ka pasur pasojat e veta.

Pas postimit të kësaj fotografie në rrjetet sociale, me komentin: “Ndërhyrja në hapësirë”, korrespondenti i televizionit federal të Bosnjës, Dejan Kozhull, ka marrë kërcënime të shumta, në muajin maj të këtij viti.

Në disa prej tyre ai është kërcënuar me vdekje dhe është përshkruar si “tradhtar”.

“Është një ushtri robotësh që i shfrytëzojnë mundësitë e tilla për të demonstruar se sa të aftë jemi”, ka thënë Kozhull për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Grafite për Mlladiqin mund të shihen edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Miti për Mlladiqin polarizon shoqërinë jo vetëm në Serbi, por në të gjithë Ballkanin dhe skenat e tilla, sipas Kozhullit, i tregojnë gjërat ashtu siç janë.

“Ky mit është i pranishëm, sepse gjurmët e krimeve po mjegullohen, sepse nuk flitet për to, sepse ato kurrë nuk janë hequr nga narrativi, sipas së cilës Mlladiq dhe ekipi i tij vetëm se kanë mbrojtur popullin serb”, është shprehur Kozhull.

Nga të gjitha krimet e kryera gjatë luftimeve në ish-Jugosllavi, gjykatat ndërkombëtare e kanë karakterizuar vetëm krimin në Srebrenicë si gjenocid. Gjenocidi është konfirmuar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007.

Mirëpo, miti për Mlladiqin si një hero serb është i pranishëm në shoqërinë serbe aq shumë, saqë ai lëviz nga muret në lëkurën e mbështetësve të tij.

Aleksandar Konçek nga Beogradi, i cili është autori i këtij tatuazhi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klientët e tij shkojnë tek ai disa herë në muaj, me dëshirën për të bërë tatuazh me Mlladiqin.

“Ne e dimë që jemi një rajon që i kushtojmë shumë vëmendje nacionalizmit, patriotizmit dhe prandaj ata kërkojnë shumë motive të tilla”, ka thënë ai.

Mlladiqi si suvenir

Mlladiq është i pranishëm edhe në suvenire në rrugët e Beogradit.

Sipas një shitësi, suvenire të tilla blejnë kryesisht turistë dhe vizitorë nga Bosnja e Hercegovina dhe Republika Sërpska.

“Sa i përket vetë Beogradit, njerëzit shumë rrallë e kërkojnë Mlladiqin. Ndodh që njerëzit që vijnë nga Bosnja ose Republika Sërpska – për shkak të ndonjë nostalgjie – e blejnë, përndryshe ai është gjithnjë e më pak i kërkuar”, ka thënë Mitar, një shitës suveniresh në Rrugën Knez Mihailova.

Deri më tani, në qytetin e Srebrenicës janë gërmuar 94 varre masive dhe janë identifikuar eshtrat e më shumë se 6,900 personave të vrarë nga forcat e ushtrisë serbe. Më shumë se 1,000 banorë të zhdukur të Srebrenicës, kërkohen ende.

Përveç Mlladiqit, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar edhe 13 ish-anëtarë të tjerë të ushtrisë dhe policisë serbe për të njëjtat krime.

Koordinatori i programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Marko Millosavleviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përkundër gjithçkaje, duket se karakteri dhe vepra e Mlladiqit nuk janë aq të dukshme në Serbi, sa kanë qenë dhjetë vjet më parë.

“Mendoj se është zhdukur pak nga publiku, por kjo nuk do të thotë se është shkatërruar edhe miti. Unë mendoj se ai mbetet i fuqishëm te disa politikanë dhe shtresa të caktuara të shoqërisë. Por, mendoj se ikonografia disi është margjinalizuar, çfarë nuk do të thotë se ajo nuk është e rrezikshme”, ka thënë Millosavleviq.

Në kuadër të Nismës së tij, ai ka marrë pjesë në disa aksione për fshirjen e muraleve dhe mbishkrimeve për Mlladiqin.

Në vitin 2009, Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe ka rekomanduar që edhe vendet e rajonit ta bëjnë të njëjtën gjë.

Në vitin 2018, Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian për Serbinë, e cila, ndër të tjera, thotë se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një hap themelor në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)