Emmanuel Macroni do ta bëjë frëngjishten gjuhë të parë në institucionet e BE-së

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 12:17
Emmanuel Macroni do ta bëjë frëngjishten gjuhë të parë në institucionet e BE-së

Qeveria e presidentit francez, Emmanuel Macron, është duke hartuar plane që frëngjishtja ta zëvendësojë anglishten si gjuhë zyrtare e punës në BE, kur vendi i tij ta marrë presidencën e Këshillit të Evropës vitin e ardhshëm, tha një diplomat.

Sipas raportit të gazetës Politico, Franca po planifikon që ta shfrytëzojë presidencën e parë në këtë organ që nga largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja për ta bërë gjuhën e vet “lingua Franca” ose gjuhë të përbashkët në Bruksel.

Një diplomat i lartë i tha Politico-s: “Edhe nëse ne pranojmë që anglishtja është gjuhë e punës dhe që praktikohet zakonisht, baza për t’u shprehur në frëngjisht mbetet plotësisht në fuqi në institucionet e BE-së.”

Diplomati i paidentifikuar tha se të gjitha takimet e nivelit të lartë të Këshillit të Evropës do të zhvillohen në gjuhën frënge e jo angleze gjatë presidencës 6-mujore të Francës, shkruan Independent.

“Ne gjithmonë do të kërkojmë nga Komisioni që të na dërgojë në frëngjisht letrat që dëshiron t’i adresojë tek autoritetet franceze dhe nëse nuk bën një gjë të tillë, ne do ta presim versionin frëngjisht para se ta dërgojmë atë”, shtoi diplomati.

Ministrat e Macronit kanë shprehur interesim të fortë që gjuhën frënge ta bëjnë zëvendësim për anglishten në Bruksel, tani që Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE-ja.

(Kosova Sot Online)