Ivica Daçiq: S’jemi afër marrëveshjes me Kosovën, Rusia dhe Kina duhet të përfshihen në dialog

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 13:08
Ivica Daçiq: S’jemi afër marrëveshjes me Kosovën, Rusia dhe Kina duhet të përfshihen në dialog

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq tha se dialogu me Kosovën nuk po shkon drejt një përfundimi të suksesshëm dhe fajin për këtë ia la palës kosovare.

“Pala tjetër nuk dëshiron kompromis, por vetëm një shtet të pavarur”, tha Daçiq. “E vetmja gjë që ata duan është që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, si rezultat i së cilës Beogradi do ta njohë Kosovën. Kjo është e papranueshme për ne”, shtoi Daçiq.

I pyetur në lidhje me ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi, Daçiq tha se Serbia mirëpret të gjithë ata që mund të ndikojnë pozitivisht në këtë proces.

“Por në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqësore, Rusia dhe Kina, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të përfshihen në këtë proces. Në fund të fundit, Këshilli i Sigurimit do të duhet të votojë për vendimin përfundimtar”, tha Daçiq.

Ai deklaroi se rezultati pozitiv i takimit të ardhshëm midis Presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Joe Biden dhe Vladimir Putin, do të kontribuojë në një nivel më të lartë të besimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Ne besojmë se do të jetë shumë e dobishme për të gjithë të zvogëlojnë tensionin në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Daçiq në një intervistë me gazetën ruse “Izvestia”.

Ai tha se Serbia është në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që “definitivisht” nuk do të vendosë asnjë sanksion kundër Rusisë.

“Serbët janë në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pozicioni ynë gjeostrategjik është i tillë që ky është një nga qëllimet tona. Sidoqoftë, ne nuk do të bashkoheshim me BE-në nëse do të ishte në kundërshtim me interesat tona shtetërore dhe kombëtare. Rusia është miku dhe partneri ynë”, tha Daçiq.

(Kosova Sot Online)