Kryeministri Kurti të premten u raporton deputetëve për dialogun Kosovë-Serbi

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 15:36
Kryeministri Kurti të premten u raporton deputetëve për dialogun Kosovë-Serbi

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se të premten do të ketë seancë plenare, e ku në rend dite të jetë edhe raportimi i kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e dialogut.

Kusari-Lila njoftoi se raportimi i kryeministrit Kurti për dialogun do të jetë pika e katërt e rendit të ditës.

“Në rend dite përveç pikave të rregullta të seancës së ardhshëm plenare, u diskutua edhe kërkesa e kryeministrit për raportim para deputetëve në raport me zhvillimet që lidhen me dialog. U vendos që raportimi i z.Kurti të jetë si pikë e katër e rendit të ditës në seancën plenare të rregullt me 11 qershor ditën e premte”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo deklaroi se në debatin për dialogun do të diskutohet për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe objektivët e së ardhmes.

Kusari-Lila theksoi se Kuvendi do t’i vazhdoj punimet edhe të hënën më 14 qershor në debatin parlamentar të kërkuar nga PDK për gjendjen ekonomike dhe efektet e pandemisë në Kosovë.

“Gjithashtu sot në emër të grupit parlamentar të LVV kërkuam që në kuadër të intervistimit të dhe përzgjedhjes së kandidatëve dhe bordeve të trupave që i raportojnë kuvendit, të kemi proces shtesë i cili mbetet për tu trajtuar më tutje në Kuvend. Kjo kërkesë ishte e lidhur me përgjegjësinë që kemi secili si deputet për mbështetje të kandidatëve por edhe prezantim para opinionit publik të kualiteti profesional dhe integritetit personal të atyre që synojnë të marrin poste publike”, u shpreh Kusari-Lila.

(Kosova Sot Online)