SBAShK-u vazhdon kërkesat, kundërshton në çdo vendim MASh-in

  • E.K /
  • 09 June 2021 - 15:35
 SBAShK-u vazhdon kërkesat, kundërshton në çdo vendim MASh-in

SBAShK-u ka vazhduar kërkesat ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Këtë herë kjo sindikatë është duke kërkuar përfundimin e vitit shkollor më 30 qershor, pavarësisht vendimit të mëhershëm të MASh-it që mësimi përfundon më së largu me 8 korrik. Kjo kërkesë e tyre do të shqyrtohet gjatë kësaj jave nga ministria. Ndërkohë për maturantët tashmë veçse ka filluar pushimi veror.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK), ka dalë sot me një kërkesë të re për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASH). Kjo sindikatë është duke kërkuar që i gjithë procesi mësimor të përfundojë me 30 qershor, pavarësisht vendimit të MASh-it, të datës 31 mars të këtij viti.

Kryesindikalisti i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë, se kërkesa e gjithë mësimdhënësve është përfundimi i vitit shkollor më 30 qershor. Madje këtë kërkesë, ai thotë se ia kanë paraqitur edhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Ne e kemi zhvilluar një takim me ministren Nagavci e ku kanë qenë edhe dy zëvendësministrat. E kemi shtruar si kërkesë që është nga mësimdhënësit e Kosovës. Kemi debatuar edhe për çështjet e tjera dhe jemi marrë vesh që gjatë kësaj jave ministrja Nagavci ta ketë një takim me task forcën qendrore dhe me drejtoritë arsimore për të bërë një analizë në përpjekje mbase edhe për ta kthyer sistemin arsimor parauniversitar në gjendje sikur ka qenë pa u nda klasat. Ne kemi shtruar këtë kërkesë pasi që kjo do të bëhet besojmë”, ka thënë ai.

E në rast se MASh-i në krye me Nagavcin nuk vendosin në favor të SBAShKU-t, Jasharaj tha se do të veprojnë konform kërkesave të mësimdhënësve.

“ Jemi të sigurt që mësimdhënësit e Kosovës do të bëjnë gjithë të mundurën që të realizojnë sa më shumë nga planprogrami dhe duke u nisur edhe nga fakti që ka qenë vit shumë i vështirë dhe ata kanë qenë të sfiduar vazhdimisht me rrezikun prej Covid-it. Kanë qenë të ngarkuar edhe me mësimin plotësues. Ne kemi konsideruar që viti shkollorë duhet të përfundojë me 30 qershor ashtu siç është edhe në kalendarin për këtë vit shkollor siç është paraparë nga MASh-i.  Konsiderojmë që viti shkollorë të përfundojë sipas kalendarit shkollorë. Nëse kjo nuk ndodh ne do të veprojmë sipas kërkesave dhe zërit të mësimdhënësve”, tha Jasharaj.

Në ndërkohë nga MASh-i po thonë se për disa klasë pushimi veror vetëm se ka filluar.

Në një përgjigje nga Zyra për Komunikim me Publikun po thonë se për maturantët pushimi veror ka filluar, teksa shtojnë se ai për klasat parafillore dhe fillore, do të fillojë nga data 8 korrik.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ, “Kalendari Shkollor 2020-2021” dhe vendimin 01B/02 të datës 31.03.2021, “Për ndryshimin e Kalendarit të vitit Shkollor 2020-2021 në Arsimin Parauniversitar”, pushimi veror për nxënësit maturantë ka filluar me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 pushimi fillon me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi fillon me 08.07.2021”, thuhet për përgjigjen e MASh-it.

Ndër të tjera, nga ky institucion është konfirmuar se në këtë javë do të zhvillohet një takim ku do të merret vendim për proceset vijuese.

“Këtë javë pritet të realizohet një takim me Taskforcën në nivel vendi dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe do të merret një vendim për proceset në vijim. Në momentin që ka rekomandime për ndonjë ndryshim sigurisht se do të bëhet e ditur me kohë”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Vlen të përmendet se Kosova ka lehtësuar masat antiCOVID javë më parë, ndërkohë që raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 832.

(Kosova Sot Online)