Kompania ua paguan haraçin 11-milionësh hakerëve përmes Bitcoin-it

  • E.K /
  • 10 June 2021 - 09:43
 Kompania ua paguan haraçin 11-milionësh hakerëve përmes Bitcoin-it

Kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS, ka paguar haraç me Bitcoin në vlerën e 11 milionë dollarëve për t’i dhënë fund një sulmi të madh kibernetik.

Rrjetet kompjuterike të kësaj kompanie u goditën nga hakerët javën e kaluar, duke i ndërprerë përkohësisht disa veprimtari në Australi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.

Pagimi i haraçit raportohet se është bërë përmes kriptovalutës më të njohur dhe më të vlefshme, Bitcoin, pasi fabrikat u kthyen në gjendje të rregullt. Kompania JBS tha se ky veprim ishte i nevojshëm për t’i mbrojtur konsumatorët.

Në një sulm kibernetik, hakerët futen në rrjetin kompjuterik dhe kërcënojnë se do të pengojnë ose do të fshijnë dosje, nëse nuk u paguhet haraçi përmes kriptovalutave.

“Ky ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë për kompaninë tonë dhe për mua personalisht”, tha shefi ekzekutiv i JBS-së, Andre Nogueira.

Kompania tha se e dha shumën për shkak se sulmi ishte i sofistikuar, ndonëse shumica e fabrikave vazhdonin të operonin. Sidoqoftë, kompania u detyrua ta ndërpriste therjen e gjedheve në të gjitha fabrikat në ShBA për një ditë.

Kjo pengesë paraqiti rrezik për mungesë furnizimesh dhe rritje të çmimit të ushqimeve për konsumatorët. Shtëpia e Bardhë ka thënë se një organizatë kriminale, me gjasë me bazë në Rusi, ka qenë prapa këtij sulmi.

(Kosova Sot Online)