Ramush Haradinaj: Pse kryeministri ynë po ik e po i fshihet Amerikës?

  • E.K /
  • 11 June 2021 - 13:36
Ramush Haradinaj: Pse kryeministri ynë po ik e po i fshihet Amerikës?

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, karshi dialogut me Serbinë.

Në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj ka shtruar pyetje se përse kryeministri Kurti po ik dhe po i fshihet Amerikës.

“Pse kryeministri ynë po ikë e po i fshihet Amerikës? Është e habitshme kur kryeministri i lajmëron marrëveshjet e mëhershme dhe thotë se krejt çka ka mbetë është njohja reciproke. Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit të Amerikës – me i kërku një të ngarkuar special, një emisar special, për njohjen reciproke?”, ka thënë në fjalën e tij i pari i AAK-së.

Sipas tij, një shqiptar nuk ka arsye me u frikësu prej presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Pse nuk po guxojmë t’i kërkojmë Amerikës rolin e vet që i takon në këtë çështje duke e ditë se çështjet e mëdhaja nuk kryhen pa Amerikën? Duhet të mendojmë të gjithë pse nuk po i shkruajmë për çështjen e statusit final? Nëse ne frikësohemi prej këtij presidenti të amerikës, si do të presim prej një presidenti të ardhshëm. Nuk besoj që një shqiptar ka arsye me u frikësu prej presidentit Biden. Pse? Pse? Pse? Ka diçka që jep pikëpyetje”, përfundoi Haradinaj.

(Kosova Sot Online)