Bedri Hamza-Qeverisë: Filloni implementimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike, punëtorët privat të paguhen nga 300 euro

  • E.K /
  • 14 June 2021 - 11:12
Bedri Hamza-Qeverisë: Filloni implementimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike, punëtorët privat të paguhen nga 300 euro

Deputeti nga radhët e PDK’së, Bedri Hamza, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet vaksinimin e popullatës, pasi që një gjë e tillë lidhet me rimëkëmbjen ekonomike.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ai ka thënë se gjendja ekonomike është e rëndë, dhe se qeveria duhet të filloj me implementimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që pas 6 muajve ky ligj do të shfuqizohet.

“Vaksinimi i popullatës është prioritet jo vetëm për shëndetin e qytetarëve edhe për rimëkëmbje ekonomike. Se gjendja ekonomike është e rëndë, tregojnë edhe shumë indikatorë makro-ekonomik. Kemi shumë biznese që kanë falimentuar e shumë punëtorë që kanë humbur vendin e tyre të punës. Ndërsa, borxhi publik është rritur. Shqetësuese mbetet që as në programin qeveritar nuk parashihet asnjë masë konkrete se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit pas COVID-19”, ka thënë ai.

Hamza ka kërkuar nga qeveria që pagat e punëtorëve të sektorit privat të jenë 300 euro, që familjet që marrin ndihma sociale të marrin nga 100 euro shtesë për muajt maj-gusht, e të falen gjobat që janë shqiptuar gjatë pandemisë.

 “Gjendja është e rëndë, sikur të ishin marrë të gjitha masat me kohë nuk do të ishim në këtë gjendje. Pagat e punonjësve në sektorin privat të jenë 300 euro në muaj gjatë pandemisë.  Të ketë mbështetje shtesë prej 40 milionë eurove për të gjitha bizneset që kanë qenë të mbyllura e nuk kanë funksionuar në rregull gjatë pandemisë. Të gjithë fituesit e skemave sociale të paguhen shtesë me nga 100 euro për muajin maj, qershor, korrik, gusht. Të parashihet falja e gjobave në kohë pandemie. Ata që i kanë paguar t’u rimbursohen. Kërkojmë plan konkret në 2-3 vitet e ardhshme të ndihmojnë qytetarët dhe bizneset”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)