MSH: Më 15 qershor fillon vaksinimi masiv, janë angazhuar 279 ekipe

  • E.K /
  • 14 June 2021 - 14:57
 MSH: Më 15 qershor fillon vaksinimi masiv, janë angazhuar 279 ekipe

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga data 15 qershor 2021, në vendin tonë fillon procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19, bazuar në Planin e Vepimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19.

Në të njëjtën kohë, Ministria i ka lutur qytetarët që me qëllim të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, në qendrat e vaksinimit të drejtohen vetëm ata qytetarë, të cilët marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas termineve të caktuara  përmes platformës e Kosova.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani”, thuhet nga MSH.

Sipas MSH’së, aktualisht, janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.

“MSh dëshiron të informojë, gjithashtu, se gjatë të gjitha fazave të vaksinimit, punonjësit shëndetësor e kanë pasur dhe e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit; ndërsa krahas kategorive mbi 65 vjeç, deri tani janë vaksinuar edhe persona e hemodializës, personat me diabet, persona me sëmundje malinje si dhe persona me sëmundje të tjera kronike, pavarësisht moshës së tyre, gjithashtu”, thuhet tutje nga kjo ministri.

Ministria e Shëndetësisë, u bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë rreth vaksinimit, të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19 në platformën eKosova, ku aplikimi është thjeshtëzuar dhe një person mund të regjistrojë deri në 5 persona të tjerë.

Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij.

(Kosova Sot Online)