Rusia s’pret ndonjë marrëveshje mes Joe Biden e Vladimir Putinit në Zvicër

  • E.K /
  • 15 June 2021 - 10:04
 Rusia s’pret ndonjë marrëveshje mes Joe Biden e Vladimir Putinit në Zvicër

Një ndihmës i Kremlinit tha se takimi mes presidentëve Joe Biden e Vladimir Putin në Gjenevë të mërkurën zor se do të prodhojë ndonjë marrëveshje konkrete, por se bisedimet do të jenë të dobishme.

Liderët e dy superfuqive botërore do të takohen për herë të parë mes vete prej kohës kur Joe Biden u bë shef i Shtëpisë së Bardhë në janar. Raportet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët në vjetët e fundit.

Këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, tha se në agjendën e diskutimeve mes presidentëve do të jenë stabiliteti bërthamor, ndryshimet klimatike, siguria kibernetike dhe fati i amerikanëve dhe rusëve që janë burgosur nga autoritetet përkatëse të këtyre vendeve.

“Nuk jam i sigurt që do të arrihet ndonjë marrëveshje. E shikoj këtë takim me optimizëm praktik”, tha Ushakov, shkruan Reuters.

Presidenti amerikan tha në mars se beson që homologu i tij rus është vrasës. Putini reagoi ndaj këtyre komenteve, duke thënë se njerëzit kanë prirje që t’i shohin të tjerët ashtu si janë vetë.

Joe Biden gjithashtu e ka akuzuar Rusinë për sjellje të papranueshme për disa çështje, përfshirë sulmet kibernetike dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e vendeve tjera. Në prill, presidenti amerikan propozoi një samit me Putinin për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet.

(Kosova Sot Online)