Kush është Ebrahim Raisi, “vrasësi” që mund të bëhet president i ri i Iranit

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 10:12
 Kush është Ebrahim Raisi, “vrasësi” që mund të bëhet president i ri i Iranit

Ebrahimi Raisi, 60 vjeç, është klerik iranian. Emri i tij është lidhur me masakrimin e mijëra të burgosurve politikë në vitet e tetëdhjeta.

Ai garoi në zgjedhjet presidenciale të Iranit në vitin 2017, por e humbi garën ndaj politikanit më të moderuar, Hassan Rohani, shkruan Free Europe.

Kësaj radhe, klerikët udhëheqës iranianë po akuzohen se po ia shtrojnë rrugën Raisit në zgjedhjet presidenciale të 18 qershorit duke diskualifikuar nga pjesëmarrja shumë kandidatë të moderuar dhe reformistë.

“Do t’ua presim gishtat, jo, do t’ua presim duart të korruptuarve”, dëgjohet duke thënë Raisi në një video. Shefi i sistemit gjyqësor të Iranit njihet për gjuhën e ashpër që e përdor. Ai cilësohet si një ndër kandidatët me gjasat më të mëdha për t’i fituar zgjedhjet presidenciale.

Aktivisti politik, Iraj Mesdaghi, thotë se Raisi njihet si vrasës. “Khamenei qëllimisht po hedhë kripë në plagë të vjetra. Raisi është vrasës i njohur. Edhe në fushatën e vitit 2017, Rohani tha se vrasjet janë gjithçka që ka bërë Raisi.”

Si gjykatës, Raisi ka dënuar me vdekje mijëra kundërshtarë dhe të burgosur politikë gjatë ekzekutimeve masive të viteve të tetëdhjeta. Ai u ngrit shpejt në sistemin e drejtësisë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

“Ai dhe ekipi i tij, i njohur si Skuadra Haghghani, u futën në sistemin gjyqësor me qëllim të mënjanimit të kundërshtarëve. Ata dëshironin që ta lehtësonin procesin e ndjekjes penale pa procedurat e duhura”, thotë Mohammad Javad Akbarin, hulumtues iranian i fesë.

Raisi ishte vendosur në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për vrasjet në vitet e tetëdhjeta. Besohet se ai vlerësohet lart nga ushtria iraniane dhe nga lideri suprem, Ayatollah Khamenei, i cili më 2019 e emëroi shef të sistemit të drejtësisë.

(Kosova Soy Online)