Presidenti kroat thotë se një referencë ndaj Dejtonit dështoi të miratohej në samitin e NATO-s

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 11:03
Presidenti kroat thotë se një referencë ndaj Dejtonit dështoi të miratohej në samitin e NATO-s

Një referencë e planifikuar për marrëveshjen e Dejtonit ka dështuar të miratohet në samitin e NATO-s. Ajo u kundërshtua nga Gjermania, Italia dhe disa vende tjera perëndimore.

Kështu deklaroi të martën presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq e në Sllovaki, ku ai mori pjesë në Forumin GLOBSEC 2021 dhe u takua me presidenten sllovake, Zuzana Caputova dhe presidentin polak, Andrzej Duda.

Ai tha se ndryshimet e mundshme në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk duhet të ndodhin pa Kroacinë dhe Serbinë.

Ai për këtë çështje tha se pati diskutim në samitin e NATO-s të mbajtur të hënën në Bruksel, në të cilin Millanoviq tha se Kroacia arriti të ketë një referencë në marrëveshjen e paqes të Dejtonit (Marrëveshja Kornizë e Përgjithshme për Paqen në Bosnjë e Hercegovinë) e inkorporuar në deklaratën përmbyllëse të samitit vetëm pasi pala kroate këmbënguli për të për gjashtë ditë.

“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Dikush është kundër, ka një problem me marrëveshjen e Dejtonit dhe dëshiron ta shpërbëjë atë”, tha Millanoviq, duke shtuar se në të njëjtën kohë disa vende po kritikonin anëtarin serb të Presidencës së BeH, Millorad Dodik për shkeljen e marrëveshjes së Dejtonit.

“Diçka nuk është e drejtë në lidhje me atë mënyrë të të menduarit”, tha ai.

Millanoviq vuri në dukje se një numër vendesh – Gjermania, Italia dhe disa vende të tjera perëndimore – ishin kundër përmendjes së marrëveshjes së paqes të Dejtonit në komunikatë.

“Evropa Perëndimore – dhe unë nuk jam duke folur për udhëheqësit, patjetër jo për Angela Merkel – po vepron marrëzisht, duke minuar një nga themelet e Bosnjë e Hercegovinës, e cila, pavarësisht se sa e papërsosur mund të jetë, e mbron atë nga destabilizimi”, tha ai.

Kritika ndaj diplomacisë gjermane

Millanoviq vazhdoi duke thënë se bisedimet mbi komunikatën nuk ishin kryer nga kancelarja gjermane por nga ministria e jashtme gjermane e cila, tha ai, drejtohej nga një kamp politik i ndryshëm nga ai i Merkel dhe ai me të cilin ai ndjehej afër.

“Nga njerëz që në fantazinë e tyre janë të prirur të bëjnë eksperimente pa kuptim”, tha ai.

Ministri aktual i jashtëm gjerman është Heiko Maas, anëtari i Social Demokratëve të cilët janë pjesë e qeverisë së koalicionit me Bashkimin Demokristian të Merkelit (CDU).

Disa vende të Evropës Perëndimore mbështesin të ashtuquajtur model civil për Bosnjë e Hercegovinën për ta zëvendësuar konceptin e tre popujve përbërës të parashikuar nga marrëveshja e paqes e Dejtonit. Duke komentuar atë të hënën, Millanoviq tha se “tingëllon shumë fisnike por në fakt është një mashtrim”.

“Bosnja e Hercegovina është ashtu siç është, ne ndajmë një kufi të gjatë dhe së shpejti do të duhet ta ruajmë atë për zonën Shengen”, tha ai.

Millanoviq theksoi se planet për Bosnjë e Hercegovinën nuk mund të bëheshin “nën radar” dhe se çdo ndryshim në vendin fqinj duhej ta përfshinte Kroacinë dhe Serbinë, bashkë-nënshkruese të marrëveshjes së Dejtonit, duke shtuar se ai ia kishte shpjeguar këtë presidentes sllovake dhe homologut të tij polak.

“Kështu bëhen gjërat në diplomaci, me sa mbaj mend. Dikur isha diplomat dhe kurrë nuk kam shkaktuar skandal. Pastaj hyra në politikë dhe në politikë duhet të bësh që të dëgjohen skandale”, tha ai.

(Kosova Sot Online)